Pankarta që ndezi polemika në Botëror/ FIFA nis shqyrtimin ndaj Argjentinës për mesazhin politik për Falklandet

FIFA ka nisur shqyrtimin e mundësisë për masa disiplinore ndaj Argjentinës, pas shfaqjes së një pankarte me përmbajtje politike nga disa futbollistë të saj pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Pas përfundimit të ndeshjes së fituar 2-1 nga Argjentina, disa lojtarë të përfaqësueses argjentinase u shfaqën me një pankartë ku shkruhej “Las Malvinas son Argentinas” – “Ishujt Falkland janë argjentinas”.
Mes futbollistëve që mbanin pankartën ishin Lisandro Martinez, Cristian Romero dhe Giovani Lo Celso. Mesazhi lidhet me konfliktin e vitit 1982 mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe për sovranitetin e Ishujve Falkland, ku humbën jetën qindra ushtarë nga të dyja palët.
Rregulloret e FIFA-s ndalojnë përdorimin e mesazheve politike gjatë aktiviteteve sportive dhe institucioni ndërkombëtar i futbollit pritet të vlerësojë nëse rasti përbën shkelje disiplinore.
Ky nuk është rasti i parë i tillë për Argjentinën. Në vitin 2014, Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit nga FIFA pasi lojtarët shfaqën të njëjtin mesazh në një ndeshje miqësore ndaj Sllovenisë.
Ndërkohë, qeveria britanike ka reaguar ndaj incidentit. Zëdhënësi i kryeministrit Keir Starmer bëri të ditur se ai mbështet kërkesën e ministrit Peter Kyle që FIFA të hetojë shfaqjen e pankartës gjatë Botërorit.


