OBSH ngre alarmin për inteligjencën artificiale në spitale/ Mungesa e rregullave mund të rrezikojë pacientët

Përdorimi i inteligjencës artificiale në shëndetësi po rritet me shpejtësi në Evropë, por mungesa e rregullave dhe mbikëqyrjes mund të sjellë pasoja serioze për pacientët.
Paralajmërimi vjen nga drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, i cili e cilësoi hendekun mes zhvillimit të teknologjisë dhe kontrollit të saj si një nga sfidat më të mëdha të momentit.
Sipas OBSH-së, dy të tretat e 53 vendeve të Rajonit Evropian tashmë përdorin inteligjencën artificiale për diagnostikimin e sëmundjeve, ndërsa rreth gjysma kanë vendosur chatbot-e me AI për komunikimin me pacientët.
Megjithatë, vetëm një numër i vogël vendesh kanë krijuar strategji të qarta për menaxhimin dhe kontrollin e kësaj teknologjie. Vetëm 8% e vendeve kanë një strategji të posaçme për AI në shëndetësi, ndërsa pothuajse 40% nuk kanë udhëzime etike për përdorimin e saj.
Hans Kluge paralajmëroi se një algoritëm i pasaktë mund të çojë në diagnoza të gabuara, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin dhe sigurinë e pacientëve.
OBSH ka evidentuar gjithashtu mangësi në përgatitjen e profesionistëve të shëndetësisë. Vetëm një në pesë vende u ofron studentëve të mjekësisë trajnim për përdorimin e AI, ndërsa vetëm një në katër vende ofron trajnime për mjekët që janë aktualisht në punë.
Organizata pritet të publikojë në vitin 2028 një udhërrëfyes të posaçëm për inteligjencën artificiale dhe shëndetin, me qëllim përdorimin më të sigurt dhe më të kontrolluar të kësaj teknologjie në sistemet shëndetësore.


