Reforma në drejtësi nuk ka rritur numrin e gjyqtarëve/ Shqipëria me mungesë gjykatësish, vetëm 9.66 për 100 mijë banorë

Pavarësisht reformës në drejtësi dhe procesit të rivlerësimit të magjistratëve, Shqipëria vijon të ketë një numër të ulët gjyqtarësh në raport me popullsinë, krahasuar me shumicën e vendeve europiane.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, Shqipëria kishte 9.66 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë. Ky nivel është rreth 39% më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku raporti arrin në 15.7 gjyqtarë për 100 mijë banorë.
Në renditjen europiane, Shqipëria pozicionohet mes vendeve me numrin më të ulët të gjyqtarëve. Nga 32 shtete europiane dhe të rajonit me të dhëna të disponueshme, vendi renditet i nënti nga fundi, ndërsa pas saj qëndrojnë vende si Suedia, Malta, Polonia, Italia, Çekia, Spanja, Austria dhe Irlanda.
Diferenca është më e dukshme në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi ka 42.49 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Serbia 40.18, ndërsa Maqedonia e Veriut 20.15. Në raport me popullsinë, Mali i Zi dhe Serbia kanë rreth katër herë më shumë gjyqtarë se Shqipëria.
Numri i ulët i gjyqtarëve lidhet edhe me efektet e procesit të rivlerësimit në drejtësi, gjatë të cilit një pjesë e magjistratëve u larguan nga sistemi përmes shkarkimeve, dorëheqjeve ose përfundimit të mandatit. Zëvendësimi i tyre nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm, duke krijuar vende vakante në disa gjykata dhe duke ndikuar në ngarkesën e çështjeve dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se Shqipëria ka 55% gjyqtare femra, një nga nivelet më të ulëta në Europë.
Në krye të renditjes europiane për numrin e gjyqtarëve janë Kroacia me 43.32 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Mali i Zi me 42.49 dhe Serbia me 40.18.
Edhe Sllovenia, Luksemburgu, Bullgaria dhe Rumania kanë nivele dukshëm më të larta se Shqipëria.
Në Bashkimin Europian, mesatarja e gjyqtarëve profesionistë ka pësuar rënie gjatë dekadës së fundit. Nga 17.7 gjyqtarë për 100 mijë banorë në vitin 2014, raporti ka zbritur në 15.7 në vitin 2024.
Eurostat sqaron se krahasimi mes vendeve duhet parë edhe në varësi të organizimit të ndryshëm të sistemeve gjyqësore, kompetencave të gjykatave dhe mënyrës së funksionimit të personelit juridik.
Në këtë tregues përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të autorizuar për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe çështje të tjera, përfshirë edhe gjykatat e apelit./MONITOR


