PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Territoriale: Procesi nuk ka përfunduar, duhen konsultime të plota

PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën

PD kërkon zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, duke argumentuar se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të parashikuara nuk janë realizuar.

Kërkesa është depozituar nga bashkëkryetari i Komisionit, Luçiano Boçi, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Konferencës së Kryetarëve.

Në kërkesën e tij, Boçi kërkon që puna e Komisionit të vijojë edhe gjatë muajit gusht dhe që përpara përfundimit të procesit të merret një opinion institucional nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës.

Sipas tij, Komisioni ndodhet ende në fazën e konsultimeve publike, pasi nuk është zhvilluar konsultimi në Qarkun e Tiranës dhe nuk janë realizuar dëgjesat me disa kryetarë bashkish të ftuar për të raportuar përpara Komisionit.

Në kërkesë argumentohet se nuk është paraqitur ende në Komision dokumenti “Analizë Paraprake”, i cili duhet të përmbajë vlerësimin e reformës aktuale administrativo-territoriale, sfidat e pushtetit vendor, analizën e kuadrit ligjor dhe parimet mbi të cilat do të ndërtohet reforma e ardhshme.

Boçi rendit edhe disa nga aktivitetet e parashikuara në projektkalendar që, sipas tij, nuk janë realizuar ende. Mes tyre përmenden konsultimet e tjera me grupet e interesit, sondazhi publik, vizitat studimore, hartimi i dokumentit politik, prezantimi i varianteve të reformës, përgatitja e paketës ligjore dhe shqyrtimet e mëtejshme parlamentare.

Në kërkesë thuhet se deri tani aktiviteti kryesor i përfunduar ka qenë krijimi i faqes zyrtare të Komisionit, ndërsa fazat që lidhen drejtpërdrejt me përmbajtjen e reformës nuk kanë përfunduar.

Sipas PD-së, reforma administrativo-territoriale kërkon një proces të gjerë konsultimi me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Për këtë arsye, Boçi kërkon që produkti përfundimtar i Komisionit të mos dorëzohet pa kaluar më parë në një vlerësim nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës.

Në fund të kërkesës, PD i kërkon Kuvendit zgjatjen e mandatit të Komisionit me tre muaj dhe marrjen e një opinioni zyrtar nga Këshilli i Evropës për rekomandimet dhe propozimet që do të dalin nga puna e tij.

EMISIONET