Trump dëshiron Infantinon në krye të OKB-së/ Zbulohet plani i presidentit amerikan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raportohetse dëshiron ta shohë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Sipas gazetës amerikane The New York Post, Trump e konsideron Infantinon një figurë me reputacion ndërkombëtar dhe beson se ai ka aftësinë për të bashkuar njerëzit, duke e parë si një kandidat të përshtatshëm për të pasuar Antonio Guterresin në krye të OKB-së.
Marrëdhënia mes Trump dhe Infantino është forcuar gjatë organizimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa presidenti i FIFA-s i dorëzoi kreut të Shtëpisë së Bardhë edhe Çmimin e Paqes të FIFA-s në dhjetor të vitit të kaluar.
Burime pranë administratës amerikane citojnë Trump të ketë thënë se Infantino “respektohet nga të gjithë në botë” dhe zotëron “një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit”.
Mandati i sekretarit aktual të OKB-së, Antonio Guterres, përfundon në fund të dhjetorit, ndërsa zgjedhja e pasuesit të tij pritet të zhvillohet gjatë këtij viti. Për t'u emëruar në këtë post, kandidati duhet të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe më pas konfirmimin nga Asambleja e Përgjithshme.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse vetë Gianni Infantino është i interesuar për këtë detyrë apo nëse ka zhvilluar bisedime konkrete lidhur me kandidaturën e tij.
Sipas raportimit të The New York Post, Trump e sheh Infantinon si një alternativë të fortë në një garë ku kandidatët e tjerë konsiderohen më pak bindës.


