Dyshohen se lëshuan leje qëndrimi në këmbim të përfitimit financiar, arrestohen dy zyrtarë në Kosovë

Autoritetet në Kosovë njoftuan se i kanë ndaluar dy zyrtarë të Ministrisë së Brendshme nën dyshimin se kanë anashkaluar ligjin duke u lëshuar leje qëndrimi në Kosovë disa të huajve në këmbim të përfitimit financiar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë shkroi në Facebook se dy zyrtarët janë ndaluar për 48 orë dhe se akuzohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Policia dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë i arrestuan ata së bashku me një person tjetër të mërkurën, pas një hetimi disamujor në këtë çështje, tha Prokuroria.
Arrestimi i tyre u përshëndet nga ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Njëri nga zyrtarët e arrestuar punon në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil, thuhet në njoftim.
Hetimet fillestare tregojnë se zyrtarët e dyshuar, F. Sh., dhe G.J., “kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”.
Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Kosovë, tha tutje Prokuroria.
Prokuroria nuk tregoi se sa të huaj janë pajisur me leje qëndrimi në këtë rast, apo se sa kanë përfituar zyrtarët e dyshuar.
Ndërkohë, Sveçla shkroi në Facebook se e mirëpret vendimin për ndalimin e zyrtarëve të Ministrisë së tij, duke thënë se “ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik”.
“Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, tha Sveçla./REL

