Gjikuria & Co po shkatërrojnë Jugun: Gërryhet mali në Ilias, rrezikohen kishat shekullore dhe derdhen inertet në det

Pas pasqyrës së plotë të dhënë mbi kompanitë dhe investimet që po betonizojnë bregdetin e Jugut, të dhëna të reja dhe dokumente nga terreni zbulojnë një tjetër dimension të shkatërrimit ambiental dhe kulturor që po i kanoset zonës. Ndërkohë që vëmendja është përqendruar te hotelet dhe inertet e derdhura në det, një tjetër vatër e rëndë shkatërrimi është hapur në lartësitë e bregdetit.
Në Shqipëri mund të marrësh gjobë për çështje banale, por mesa duket mund të çash malet dhe të afrohesh pranë pasurive kombëtare pa u shqetësuar nga strukturat shtetërore. Kjo është panorama rrëqethëse që denoncohet në Dhërmi, ku biznesmeni Lenc Gjikuria po zhvillon një gurore masive mbi fshatin Ilias, duke rrezikuar jo vetëm ekosistemin delikat të zonës, por edhe thesaret e trashëgimisë sonë shpirtërore.
Kompanitë dhe emrat që po betonizojnë Jugun
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka gjobitur me vlera tallëse për t'i treguar publikut se gjoja punon, pavarësisht se ka aprovuar lejet për betonizimin e Jugut për një sërë kompanish dhe pronarësh të njohur:
Gjoka Konstruksion e Rrok Gjokës
Gjikuria e Lenc dhe Milo Gjikurisë
Anchor Beton i Ard Kollçakut
Eral Construction Company i Gramoz dhe Ervin Qendros
Beton Express 2018 i Mond Begës
Këto subjekte të oligarkëve të ndërtimit janë gjobitur dhe pezulluar nga aktiviteti për shkak të shkeljeve të rënda mjedisore në Jug të vendit ku po ndërtojnë hotelet e tyre, ndërkohë që mbetjet nga gërryerja e tokës i plasin në detin e Palasës, Drimadhës apo Dhërmiut. Kjo nuk do të thotë se punimet për hotelet e tyre janë ndërprerë, por është thjesht show i radhës i IKMT-së që është futur në rol sikur nuk i intereson shkatërrimi i mjedisit. Këto subjekte nuk kanë respektuar kushtet strikte të përcaktuara në lejet mjedisore të miratuara nga autoritetet përkatëse, duke ndotur vijën bregdetare dhe duke anashkaluar zbatimin me rigorozitet të standardeve për mbrojtjen e mjedisit.
Mbi kushtet e përmendura në lejet mjedisore, në lajmin e publikuar nuk specifikohen detajet teknike për secilën kompani, megjithatë, kur autoritetet pezullojnë aktivitetin për "mosrespektim të kushteve të lejes mjedisore", zakonisht bëhet fjalë për shkelje të tilla si: hedhja e inerteve apo mbeturinave të ndërtimit në vende të palicencuara ose lumenj/përrenj; mospërdorimi i masave mbrojtëse për të frenuar pluhurin (në kantieret pranë zonave të banuara ose turistike) dhe tejkalimi i orareve të lejuara të punës; mosinstalimi i sistemeve të dekantimit apo filtrimit për ujin që përdoret në proceset e betonit, duke bërë që ai të derdhet i patrajtuar në mjedis; punime jashtë perimetrit të lejuar nga leja e ndërtimit ose dëmtimi i hapësirave të gjelbërta.
Mali i Iliasit nën diktatin e makinerive të rënda
Në zonën e Iliasit, makineritë e rënda dhe kamionët punojnë pa pushim, duke e kthyer malin në një kantier gjigant gërmimi. Përtej ndryshimit drastik të relievit dhe dëmit të pariparueshëm mjedisor, shqetësimi kryesor mbetet afërsia e rrezikshme e gurores me monumentet e kultit.
Objekte fetare dhe kisha ortodokse me vlera të jashtëzakonshme shekullore, të shpallura pasuri kombëtare, ndodhen në rrezik të drejtpërdrejtë nga lëkundjet, pluhuri dhe gërmimet e pakontrolluara që po kryhen në perimetrin pranë tyre. Ndërsa institucionet përgjegjëse heshtin ose bëjnë sikur nuk shohin, monumentet e historisë dhe identitetit tonë mbeten plotësisht në mëshirë të fatit. /Marrë nga "JOQ Albania"


