MASAT E SIGURISË/ Tenderat 1 milion euro në Bashkinë Divjakë, GJKKO dënon 6 zyrtarë për shkelje në procedura

MASAT E SIGURISË/ Tenderat 1 milion euro në Bashkinë

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për 6 zyrtarë të Bashkisë Divjakë, të akuzuar për shkelje në procedurat e tenderimit. Mes të dënuarve është edhe drejtoresha e Planifikimit të Territorit, Sara Xhepa (Doko).

Çështja lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një vlerë totale rreth 1 milion euro. Hetimi nisi si pjesë e një fraksioni të një dosjeje tjetër, ndërsa më pas SPAK regjistroi procedimin për zyrtarët e bashkisë.

GJKKO shpalli fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” të pandehurit Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini.

Për secilin prej tyre, gjykata caktoi një dënim fillestar prej 1 viti burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u kthyer në 8 muaj burgim.

Për Dorjan Spahon, Sara Xhepën dhe Roklejd Malkon, ekzekutimi i dënimit me burg u pezullua dhe u zëvendësua me 120 orë punë në interes publik, që duhet të përmbushen brenda 6 muajve nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.

Ndërsa për Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në provë për një periudhë 16-mujore, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale.

Për këta të fundit u vendos edhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij.

 

EMISIONET