DIASPORA NGRE ZËRIN PËR ZVËRNECIN/ Qindra shqiptarë protestojnë në Gjermani kundër resortit

Qindra shqiptarë janë mbledhur këtë të diel në Heidelberg të Gjermanisë për të protestuar kundër ndërtimit të resortit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.
Sipas organizatorëve, në protestë morën pjesë rreth 300 deri në 400 qytetarë, të cilët mbanin pankarta kundër projektit, si dhe flamuj kombëtarë shqiptarë.
Tubimi u zhvillua në mbështetje të protestave që prej disa ditësh po mbahen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, pas incidentit të regjistruar një javë më parë në zonën ku pritet të ndërtohet resorti. Gjatë protestës së atëhershme, një qytetar u tërhoq zvarrë nga punonjës të sigurisë private, ngjarje që nxiti reagime dhe protesta të vazhdueshme.
Në pankartat e protestuesve në Gjermani shfaqeshin mesazhe si “Mos e shit Shqipërinë” dhe “Shqipëria e shqiptarëve”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e zonës së Zvërnecit.

