Memorandum politik: Si ta rifitojë vetëveten partia socialiste

- Drejtuar Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në 35-vjetorin e krijimit të PSSH
Nga Luan Rama
1. Reflektimi si përgjegjësi politike
Që prej kur është themeluar tridhjetë e pesë vjet më parë e përgjatë gjithë kësaj periudhe, Partia Socialiste, në kohën kur në krye të saj ishte Fatos Nano, asnjëherë nuk i ka pasur kundër qytetarët e këtij vendi. Sepse, me politikat e saj qeverisëse apo me vendimet që ka marrë, Partia Socialiste në asnjë rast nuk u është vënë qytetarëve kundër apo përballë.
Me këtë nuk dua të them se nuk ka pasur demonstrime publike apo protesta edhe kundër qeverisjes së saj gjatë periudhës së parë të pushtetit (1997–2005).
Por ato gjithmonë kanë qenë organizime politike të Partisë Demokratike me veprimtarët, militantët dhe aleatët e vet, madje edhe si kundërvënie të armatosura, si në shtator 1998, apo si demonstrime të dhunshme kundër institucioneve të shtetit.
Ndërkaq, për paradoks, përgjatë kohës kur Partinë Socialiste në pushtet e drejton Edi Rama, është hera e tretë (më parë ka ndodhur me protestat masive të qytetarëve kundër pranimit të mbetjeve kimike që do të vinin nga Siria, mandej me demonstratat këmbëngulëse të studentëve!) që protestat qytetare i kundërvihen publikisht dhe masivisht qeverisë së Partisë Socialiste.
Tridhjetë e pesë vjet pas themelimit të saj, Partia Socialiste e Shqipërisë ndodhet përballë një momenti të veçantë në historinë e vet politike.
Asnjë forcë tjetër politike në Shqipërinë pluraliste nuk e ka pasur mundësinë ta përjetojë një cikël kaq të gjatë përfaqësimi, transformimi dhe qeverisjeje.
Nga një forcë opozitare që lindi në kushtet e një tranzicioni të vështirë, ajo është shndërruar në partinë që ka mbajtur peshën kryesore të qeverisjes së vendit dhe që sot udhëheq një projekt ambicioz kombëtar për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj të plotë europian.
Pikërisht për këtë arsye, kremtimi i 35-vjetorit të Partisë Socialiste nën atmosferën e protestave qytetare kundër saj nuk mund të jetë vetëm një festë.
Nuk mund të jetë vetëm një moment përkujtimi i rrugës së përshkuar dhe as vetëm një rast për të vlerësuar kontributet e së shkuarës.
Ai duhet të jetë, mbi të gjitha, një moment reflektimi.
Reflektimi nuk është shenjë pasigurie.
Përkundrazi, ai është atribut i forcave politike të pjekura që kanë fituar aftësinë të analizojnë veten jo vetëm në momentet e vështira, por edhe në periudhat e suksesit.
Historia politike ka provuar vazhdimisht se rreziku më i madh për një parti nuk lind domosdoshmërisht nga humbja e pushtetit.
Shpesh ai lind pikërisht nga qëndrimi i gjatë në pushtet.
Pushteti prodhon mundësi për të realizuar vizionin politik, por njëkohësisht krijon edhe tundime, deformime dhe mekanizma vetëkënaqësie që mund të largojnë gradualisht një parti nga misioni i saj fillestar, aq sa ta vënë edhe kundër qytetarëve dhe interesave të vendit.
Në fillim dobësohet debati e hiqet dorë krejtësisht prej tij.
Më pas zbehet ndjeshmëria ndaj kritikës. Gradualisht zvogëlohet kontakti me realitetin e përditshëm të qytetarëve.
Përgjegjësia politike fillon të zëvendësohet nga komoditeti i përfitimeve dhe privilegjeve të pushtetit. Dhe partia rrezikon të identifikohet gjithnjë e më shumë me pushtetin, ndërkohë që roli i saj historik ka qenë ta udhëheqë shtetin dhe jo të shkrihet me pushtetin.
Këto nuk janë rreziqe teorike.
Ato janë sfida që kanë shoqëruar çdo forcë politike që ka qeverisur gjatë, në çdo vend dhe në çdo kohë.
Prandaj pyetja që duhet të shtrojë sot Partia Socialiste nuk është nëse ka fituar apo jo. Pyetja është nëse, duke fituar, ia ka dalë të ruajë të paprekur lidhjen e saj me parimet, me njerëzit dhe me misionin që e solli në jetën politike të vendit dhe në qeverisjen e tij.
Ky reflektim bëhet edhe më i domosdoshëm në kushtet kur sistemi politik shqiptar vazhdon të vuajë mungesën e një opozite të fortë, konkurruese dhe bindëse si alternativë qeverisëse.
Kur dobësohet kontrolli që vjen nga kundërshtari politik, rritet nevoja për kontrollin që vjen nga vetë partia.
Në të kundërt, mungesa e konkurrencës politike mund të prodhojë gradualisht arrogancë në sjellje, formalizëm në vendimmarrje, burokratizim në organizim dhe largim nga shqetësimet reale të shoqërisë.
Pikërisht për këtë arsye, nevoja për reformim të partisë nuk buron nga dobësia e saj.
Ajo buron nga forca e saj.
Nuk buron nga humbja.
Ajo buron nga përgjegjësia që sjell suksesi.
Sa më e madhe të jetë pesha e një force politike në drejtimin e vendit, aq më i madh duhet të jetë edhe kapaciteti i saj për vetëkontroll, vetëkorrigjim dhe rinovim.
Në këtë kuptim, debati për partinë nuk është një debat i brendshëm organizativ.
Ai është një debat për cilësinë e qeverisjes, për cilësinë e demokracisë dhe për cilësinë e përfaqësimit politik.
Sepse qeverisja është dhe mbetet një përgjegjësi politike. Ajo nuk mund të reduktohet vetëm në administrim institucionesh, në realizim treguesish apo në ushtrim kompetencash ligjore.
Qeverisja është shprehje e një besimi që qytetarët i japin një force politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia për sukseset dhe dështimet e saj nuk mund të jetë vetëm individuale.
Ajo është edhe përgjegjësi kolektive dhe politike.
Ngjarjet e viteve të fundit, akuzat e shumta publike, hetimet, procedimet penale dhe rastet kur përfaqësues të niveleve të larta të qeverisjes qendrore apo vendore janë përballur me drejtësinë, e bëjnë edhe më të domosdoshëm reflektimin.
Drejtësia ka detyrimin të hetojë dhe të ndëshkojë kur ka shkelje të ligjit.
Por përgjegjësia politike nuk mund të fillojë vetëm në momentin kur nis hetimi penal. Një parti serioze nuk mund të mjaftohet me faktin që institucionet e drejtësisë funksionojnë.
Ajo duhet të ndërtojë mekanizma që identifikojnë problemet përpara se ato të shndërrohen në skandale.
Ajo duhet të jetë syri i parë që sheh, zëri i parë që paralajmëron dhe forumi i parë që kërkon llogari.
Prandaj forcimi i rolit të partisë nuk është një çështje nostalgjie organizative.
Nuk është as një nevojë për të rikrijuar struktura formale.
Është një domosdoshmëri politike dhe demokratike.
Është nevoja për të rikthyer përgjegjësinë politike në qendër të veprimit publik.
Është nevoja për të garantuar që pushteti të mos mbetet pa kontroll politik.
Është nevoja për të ruajtur lidhjen mes partisë dhe qytetarëve.
Është nevoja për të siguruar që Partia Socialiste të vazhdojë të jetë jo vetëm një forcë që qeveris, por edhe një forcë që reformon vetveten.
Kjo është arsyeja që më shtyn në paraqitjen publike të këtij dokumenti.
Dhe kjo është pyetja që unë, si njëri prej socialistëve themelues (kam qenë delegati më i ri në kongresin themelues të Partisë Socialiste), synoj të shtroj në debatin publik:
Si ta rifitojë vetveten Partia Socialiste?
2. Partia nuk është pushteti
Një nga keqkuptimet më të mëdha që mund të lindë në jetën e një force politike është identifikimi i partisë me pushtetin.
Në pamje të parë, ky identifikim duket i natyrshëm. Një parti fiton zgjedhjet, formon qeverinë, drejton bashkitë, emëron përfaqësuesit e saj në institucione dhe zbaton programin me të cilin ka kërkuar besimin e qytetarëve. Në këtë kuptim, pushteti është mjeti përmes të cilit partia realizon vizionin e saj politik.
Por pikërisht këtu lind rreziku.
Mjeti nuk duhet të zëvendësojë qëllimin.
Pushteti nuk mund të bëhet arsyeja e ekzistencës së partisë.
Ai është vetëm mjeti me të cilin partia përpiqet të përmbushë misionin e saj në shërbim të interesit publik.
Partitë politike nuk krijohen për të administruar pushtetin. Ato krijohen për të përfaqësuar interesa shoqërore, për të artikuluar ide, për të prodhuar vizione zhvillimi dhe për të organizuar pjesëmarrjen qytetare në jetën publike. Pushteti është një etapë e rëndësishme e këtij procesi, por nuk është vetë thelbi i tij.
Kur pushteti fillon të zërë vendin e partisë, partia ndryshon gradualisht natyrën e saj. Fillimisht zbehet debati. Më pas dobësohet mendimi kritik.
Gradualisht, forumet politike humbasin funksionin e tyre dhe kthehen në struktura që vetëm miratojnë vendime të marra diku tjetër.
Aktivistët, militantët dhe anëtarët e partisë pushojnë së qeni bartës të ideve dhe shndërrohen në spektatorë të proceseve politike.
Funksionarët politikë fillojnë të matin vlerën e tyre jo nga besimi që gëzojnë në komunitet, por nga pozicioni që zënë në administratë.
Në këtë moment, partia nuk është më një organizatë politike në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo fillon të funksionojë si një zgjatim i pushtetit administrativ.
Ky është një proces që nuk ndodh brenda natës.
Ai zhvillohet ngadalë, pothuajse në mënyrë të padukshme. Në fillim duket si një koordinim i domosdoshëm mes partisë dhe qeverisjes.
Më pas shndërrohet në varësi.
Dhe në fund prodhon një situatë ku strukturat e partisë nuk kanë më zë, nuk kanë identitet dhe nuk luajnë asnjë rol.
Pikërisht për këtë arsye, në çdo demokraci të konsoliduar ekziston një dallim i qartë midis partisë dhe pushtetit që ajo ushtron.
Qeveria qeveris.
Administrata administron.
Partia orienton, monitoron, organizon dhe përfaqëson.
Ajo nuk mund të heqë dorë nga këto funksione pa hequr dorë njëkohësisht nga arsyeja e ekzistencës së saj.
Një parti e fortë nuk është ajo që kontrollon çdo institucion.
Një parti e fortë është ajo që ruan aftësinë për t’u kërkuar llogari institucioneve që vetë drejton. Kjo mund të duket paradoksale, por është thelbi i përgjegjësisë politike.
Në momentin që një parti pushon së ushtruari kontroll mbi qeverisjen e vet, ajo fillon të humbasë gradualisht kontrollin mbi fatin e saj politik.
Sepse pushteti ka një prirje natyrore të vetëmjaftohet.
Çdo qeveri, çdo administratë dhe çdo strukturë pushteti tenton të krijojë dhe të imponojë logjikën e vet të funksionimit, prioritetet e veta.
Nëse partia nuk ruan autoritetin e saj, ajo humbet mundësinë për të kuptuar në kohë problemet që lindin brenda pushtetit që vetë ka ndërtuar.
Për pasojë, ajo fillon të mësojë për gabimet e saj nga mediat, nga hetimet, nga protestat apo nga pakënaqësia qytetare.
Kjo është gjithmonë forma më e kushtueshme e të mësuarit.
Një parti serioze duhet t’i identifikojë problemet përpara se ato të bëhen publike.
Duhet t’i korrigjojë gabimet përpara se ato të kthehen në skandale.
Duhet të dëgjojë shqetësimet përpara se ato të shndërrohen në revoltë.
Për këtë arsye, marrëdhënia midis partisë dhe pushtetit nuk mund të jetë marrëdhënie nënshtrimi.
Nuk mund të jetë as marrëdhënie rivaliteti.
Ajo duhet të jetë një marrëdhënie përgjegjësie reciproke.
Partia duhet të mbështesë qeverisjen në realizimin e programit politik.
Por njëkohësisht duhet të mbetet mekanizmi i parë i kontrollit dhe vetëkorrigjimit.
Nëse qeveria është krahu ekzekutiv i projektit politik, partia duhet të jetë ndërgjegjja e tij politike.
Ajo duhet të jetë vendi ku artikulohen shqetësimet që pushteti nuk i sheh.
Vendi ku dëgjohen zërat që qeveria nuk i dëgjon.
Vendi ku analizohen problemet që statistikat nuk i tregojnë.
Vendi ku e vërteta politike mund të thuhet pa frikën e humbjes së një posti apo privilegji.
Kjo është arsyeja pse një parti nuk mund të reduktohet në funksion elektoral.
Nuk mund të aktivizohet vetëm gjatë fushatave.
Nuk mund të ekzistojë vetëm për të mbështetur vendime të marra gjetkë.
Ajo duhet të jetë e pranishme çdo ditë në jetën e komunitetit, në analizën e qeverisjes dhe në përfaqësimin e interesit publik.
Në të kundërt, partia rrezikon të mbetet në pushtet, por të humbasë ndikimin e saj real politik.
Dhe kur kjo ndodh, humbja e zgjedhjeve bëhet vetëm çështje kohe.
Prandaj sfida e madhe e Partisë Socialiste nuk është thjesht të qeverisë mirë.
Sfida e saj është të ruajë dallimin midis partisë dhe pushtetit.
Të ruajë identitetin si forcë politike.
Të mbrojë kulturën e debatit.
Të forcojë mekanizmat e llogaridhënies.
Dhe të mos harrojë kurrë se pushteti është një mjet i përkohshëm, ndërsa partia është institucioni që duhet të mbijetojë përtej çdo mandati.
Vetëm një parti që ruan pavarësinë e saj përballë pushtetit mund të ruajë edhe aftësinë për ta ushtruar atë në mënyrë demokratike, të drejtë dhe të përgjegjshme.
3. Kriza e partive në pushtet: shndërrimi i partisë në administratë shtetërore
Çdo forcë politike që qeveris për një kohë të gjatë përballet me një rrezik që në fillim është pothuajse i padukshëm, por që me kalimin e kohës mund të shndërrohet në një problem serioz për vetë ekzistencën e saj si organizatë politike.
Ky rrezik është zëvendësimi gradual i partisë nga administrata.
Nuk bëhet fjalë për shpërbërjen formale të strukturave partiake. Ato vazhdojnë të ekzistojnë, por vetëm formalisht. Në pamje të parë gjithçka duket normale.
Por në thelb ndodh një transformim shumë më i thellë.
Qendra reale e gravitetit politik zhvendoset nga partia te pushteti administrativ.
Vendimet nuk burojnë më nga debati politik, por nga logjika e administrimit.
Autoriteti nuk buron më nga përfaqësimi dhe besimi politik, por nga pozicioni institucional.
Prestigji nuk matet më me kontributin në parti apo me ndikimin në komunitet, por me funksionin që një individ ushtron në shtet.
Kështu, pak nga pak, partia fillon të humbasë rolin e saj.
Në vend që pushteti të jetë produkt i partisë, partia fillon të funksionojë si shtojcë e pushtetit.
Ky është momenti kur fillon kriza e vërtetë e partive në qeverisje.
Shpesh kjo krizë nuk kuptohet menjëherë, sepse maskohet nga sukseset elektorale, nga kontrolli institucional apo nga mungesa e një alternative të fortë politike.
Megjithatë, pas fasadës së suksesit, forumet politike humbasin gjallërinë.
Pjesëmarrja zëvendësohet nga formalizmi.
Dhe partia fillon të jetojë gjithnjë e më pak nga energjia e anëtarëve të saj dhe gjithnjë e më shumë nga forca që i jep pushteti.
Ky është një ndryshim thelbësor.
Sepse një parti politike është organizatë vullnetare. Ajo jeton nga bindja. Nga ideali. Nga angazhimi. Nga dëshira për të ndryshuar realitetin.
Ndërsa administrata jeton nga hierarkia, rregulli, procedura dhe kompetenca institucionale.
Të dyja janë të domosdoshme.
Por ato nuk janë e njëjta gjë.
Kur kufiri mes tyre zhduket, partia fillon të humbasë identitetin e saj.
Një nga shenjat më të dukshme të këtij deformimi është ajo që është quajtur “drejtorizimi” i partisë.
Në vend që administrata të mbetet në funksion të projektit politik, projekti politik fillon të përshtatet me logjikën e administratës.
Funksionarët politikë identifikohen gjithnjë e më shumë me postin që mbajnë.
Statusi institucional zë vendin e autoritetit politik.
Karriera administrative zë vendin e përfaqësimit qytetar.
Lidhja me partinë dobësohet.
Lidhja me qytetarin zbehet.
Ndërsa lidhja me pushtetin forcohet.
Ky është një proces që krijon pasoja të shumta.
Së pari, partia humbet aftësinë për të prodhuar elitë të re.
Kur pozicionet institucionale bëhen burimi kryesor i autoritetit, partia pushon së promovuari njerëz mbi bazën e ideve, kontributit dhe aftësive politike.
Gradualisht krijohet një kulturë ku rëndësi ka posti dhe jo përfaqësimi.
Së dyti, dobësohet komunikimi me qytetarët.
Një forcë politike që flet kryesisht përmes zyrtarëve të saj rrezikon të humbasë kontaktin me realitetin e përditshëm.
Problemet e njerëzve nuk perceptohen më si shqetësime politike, por si çështje administrative.
Kjo krijon largësi emocionale dhe politike mes partisë dhe shoqërisë.
Së treti, zbehet ndjenja e përgjegjësisë kolektive.
Kur gjithçka identifikohet me pushtetin, përgjegjësia reduktohet te individët që e ushtrojnë atë.
Partia tërhiqet në plan të dytë.
Ajo shfaqet vetëm në momentet e suksesit dhe zhduket në momentet e problemeve.
Por politika nuk funksionon në këtë mënyrë.
Qeverisja është përgjegjësi politike. Ajo nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi administrative.
Së katërti, dobësohen mekanizmat e vetëkorrigjimit.
Në një parti të shëndetshme, problemet evidentohen, diskutohen dhe adresohen përpara se të marrin përmasa të mëdha.
Kur partia dobësohet përballë administratës, ky mekanizëm pushon së funksionuari.
Problemet mbeten të fshehura.
Pakënaqësitë nuk raportohen.
Gabimet nuk diskutohen.
Dhe partia humbet aftësinë për të reaguar në kohë.
Kjo është arsyeja pse shumë nga problemet që më pas shpërthejnë në opinionin publik shpesh janë probleme që kanë kaluar më parë pa u vënë re nga strukturat e partisë.
Jo sepse nuk kanë ekzistuar.
Por sepse partia nuk ka pasur më fuqinë, autoritetin apo kurajën për t’i parë.
Një parti serioze nuk duhet të presë që problemet t’ia evidentojnë mediat, opozita apo institucionet e drejtësisë.
Ajo duhet të ketë mekanizmat e saj të brendshëm të monitorimit, analizës dhe reagimit.
Sepse përgjegjësia politike nuk fillon kur shpërthen skandali.
Ajo fillon shumë më herët.
Fillon në momentin kur partia heq dorë nga e drejta dhe detyrimi për ta parë realitetin ashtu siç është.
Për këtë arsye, sfida kryesore e një partie që qeveris gjatë nuk është thjesht ruajtja e mbështetjes elektorale.
Sfida e saj është ruajtja e vitalitetit politik.
Ruajtja e aftësisë për të dëgjuar.
Ruajtja e aftësisë për të debatuar.
Ruajtja e aftësisë për të korrigjuar vetveten.
Një parti mund të fitojë zgjedhje edhe duke qenë e burokratizuar, duke përdorur administratën shtetërore dhe sisteme okulte si ai i patronazhistëve jo si veprimtarë vullnetarë të partisë.
Mund të fitojë zgjedhje edhe duke pasur struktura formalisht aktive.
Por asnjë parti nuk mund të mbetet gjatë një forcë e gjallë politike nëse forumet e saj zëvendësohen nga administrata.
Sepse në fund të fundit, pushteti është i përkohshëm.
Ndërsa partia është ajo që duhet të mbijetojë përtej çdo mandati, përtej çdo qeverie dhe përtej çdo brezi drejtuesish.
4. Qeverisja është përgjegjësi politike
Një nga devijimet më të rrezikshme që mund të shfaqen në një sistem politik është reduktimi i qeverisjes në një proces thjesht teknik dhe administrativ.
Në pamje të parë, kjo duket si një qasje teknike dhe efikase: institucionet funksionojnë, procedurat ndiqen, vendimet zbatohen dhe aparati shtetëror prodhon rezultate të matshme. Por një qasje e tillë, nëse shkëputet nga dimensioni politik i qeverisjes, krijon një boshllëk themelor në sistemin e përgjegjësisë demokratike.
Sepse qeverisja nuk është vetëm administrim.
Ajo është, mbi të gjitha, ushtrim i përgjegjësisë politike.
Në një demokraci përfaqësuese, institucionet ekzekutive nuk lindin në mënyrë të pavarur nga vullneti politik i qytetarëve. Ato janë rezultat i një procesi zgjedhor, përmes të cilit qytetarët i japin besim një force politike për të realizuar një program të caktuar qeverisës.
Kjo do të thotë se çdo vendimmarrje e rëndësishme në qeverisje mbart një dimension politik të pashmangshëm.
Ministrat, kryetarët e bashkive, drejtuesit e institucioneve dhe zyrtarët e lartë nuk janë thjesht administratorë teknikë të shtetit.
Ata janë përfaqësues politikë të një vizioni dhe të një programi politik.
Prandaj edhe përgjegjësia e tyre nuk mund të kufizohet vetëm në kriteret e performancës administrative apo në përputhshmërinë ligjore të vendimeve që marrin.
Ajo është njëkohësisht edhe përgjegjësi politike përpara partisë dhe përpara qytetarëve.
Kur ky dimension politik i qeverisjes dobësohet, krijohet një deformim i rrezikshëm institucional.
Vendimmarrja fillon të perceptohet si proces i mbyllur teknik, i shkëputur nga debati publik dhe nga kontrolli politik.
Në këtë situatë, llogaridhënia zhvendoset gradualisht nga arena politike drejt institucioneve formale të kontrollit, ndërsa roli i partisë si mekanizëm i përgjegjësisë politike dobësohet.
Ky është një ndryshim me pasoja të thella.
Sepse ndërsa institucionet e drejtësisë merren me përgjegjësinë ligjore individuale, sistemi politik ka detyrimin të merret me përgjegjësinë politike kolektive.
Dhe këto dy nivele nuk mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin.
Një shkelje ligjore mund të ndëshkohet nga drejtësia.
Por një devijim politik, një gabim strategjik apo një dështim në qeverisje nuk mund të trajtohet vetëm si çështje juridike.
Ai kërkon analizë politike, debat politik dhe përgjegjësi politike.
Në këtë kuptim, forcat politike që qeverisin kanë një detyrim të dyfishtë:
Nga njëra anë, të garantojnë funksionimin e institucioneve shtetërore në përputhje me ligjin.
Nga ana tjetër, të ruajnë një sistem të brendshëm kontrolli politik që vlerëson, korrigjon dhe orienton veprimtarinë qeverisëse në përputhje me programin dhe interesin publik.
Kur ky sistem i brendshëm dobësohet, qeverisja fillon të humbasë lidhjen e saj me burimin politik që e ka krijuar.
Vendimet fillojnë të merren gjithnjë e më shumë mbi bazën e logjikës institucionale dhe gjithnjë e më pak mbi bazën e debatit politik.
Kjo sjell një efekt të dyfishtë.
Nga njëra anë, dobësohet transparenca politike e vendimmarrjes.
Nga ana tjetër, zbehet ndjenja e përgjegjësisë kolektive për pasojat e saj.
Në këto kushte, rreziku më i madh nuk është vetëm gabimi në qeverisje, por mungesa e mekanizmave që e identifikojnë gabimin në kohë.
Sepse një qeverisje e mirë nuk matet vetëm me aftësinë për të marrë vendime.
Ajo matet edhe me aftësinë për të korrigjuar vendimet e gabuara.
Në mungesë të një dimensioni të fortë politik të përgjegjësisë, qeverisja rrezikon të shndërrohet në një proces të mbyllur, ku vendimmarrja nuk sfidohet më nga debatet politike, por vetëm nga krizat që krijon vetë realiteti.
Pikërisht për këtë arsye, është thelbësore të ruhet dhe të forcohet lidhja midis qeverisjes dhe partisë që e mbështet atë.
Jo në kuptimin e ndërhyrjes së përditshme administrative.
Por në kuptimin e kontrollit politik, të debatit strategjik dhe të llogaridhënies së vazhdueshme.
Partia nuk duhet të jetë një strukturë që thjesht miraton vendimet e qeverisë.
Ajo duhet të jetë hapësira ku këto vendime analizohen, sfidohen dhe përmirësohen përpara se të marrin formë përfundimtare.
Në të kundërt, rreziku është që qeverisja të shkëputet nga baza e saj politike dhe të fillojë të funksionojë si një mekanizëm i orientuar më shumë nga logjika e administrimit sesa nga logjika e përfaqësimit.
Dhe në momentin që ndodh kjo shkëputje, përgjegjësia politike fillon të zbehet.
Kjo është arsyeja pse rikthimi i kuptimit të qeverisjes si përgjegjësi politike është një kusht themelor për çdo proces serioz reformimi të partisë.
Pa këtë rikthim, çdo përpjekje për modernizim organizativ mbetet e paplotë.
Sepse në fund të fundit, qeverisja nuk është thjesht ushtrim pushteti.
Është ushtrim përgjegjësie përpara qytetarëve dhe përpara historisë politike të një vendi.
5. Pse partia duhet të jetë oponentja e parë e qeverisë së vet
Në një sistem demokratik, nocioni i opozitës zakonisht lidhet me kundërshtarin politik që qëndron jashtë pushtetit dhe ushtron kontroll mbi qeverinë përmes kritikës, debatit dhe alternativës.
Por në rastin e një force politike që qeveris për një kohë të gjatë, ky mekanizëm i jashtëm shpesh nuk mjafton.
Kur opozita është e dobët, e fragmentuar ose e pabesueshme si alternativë qeverisëse, kontrolli demokratik mbi pushtetin dobësohet në mënyrë të ndjeshme.
Në këto rrethana, barra e kontrollit politik nuk mund të mbetet vetëm jashtë sistemit qeverisës.
Ajo duhet të rikthehet edhe brenda vetë partisë që ushtron pushtetin.
Kjo është arsyeja pse një parti në pushtet duhet të zhvillojë brenda vetes funksionin e oponentit të saj politik.
Jo në kuptimin e konfliktit të brendshëm të qëllimshëm apo të paralizimit të qeverisjes.
Por në kuptimin e krijimit të një mekanizmi të vazhdueshëm kritik, reflektues dhe korrigjues.
Partia që qeveris nuk mund të jetë vetëm mbështetëse e qeverisë së saj.
Ajo duhet të jetë edhe ndërgjegjja e saj politike.
Ajo duhet të jetë hapësira ku vendimmarrjet nuk pranohen automatikisht, por analizohen në mënyrë kritike.
Ku politikat nuk miratohen vetëm mbi bazën e autoritetit institucional, por mbi bazën e argumentit.
Ku suksesi nuk merret i mirëqenë dhe dështimi nuk justifikohet, por të dyja shqyrtohen në mënyrë të baraspeshuar.
Në mungesë të këtij funksioni, partia rrezikon të shndërrohet në një strukturë miratuese.
Në një organizatë që konfirmon vendime të marra diku tjetër, pa aftësinë për t’i vlerësuar apo korrigjuar ato.
Kjo është një nga shenjat më të hershme të dobësimit të jetës së brendshme politike të partisë.
Kur debati brenda partisë zëvendësohet nga konsensusi formal, partia humbet aftësinë për të identifikuar gabimet në kohë.
Kur kritika shihet si mungesë besnikërie dhe jo si kontribut politik, atëherë mendimi i lirë fillon të tërhiqet.
Dhe kur mendimi i lirë tërhiqet, vendimmarrja fillon të varfërohet.
Pikërisht për këtë arsye, një parti që qeveris duhet të institucionalizojë brenda vetes një kulturë të debatit të organizuar dhe të përgjegjshëm.
Debati nuk duhet të jetë episodik, as i rastësishëm dhe as i kufizuar vetëm në periudha krize.
Ai duhet të jetë pjesë e përhershme e funksionimit të saj.
Sepse vetëm përmes debatit të brendshëm një parti mund të ruajë aftësinë për të parë realitetin pa filtra pushteti.
Roli i partisë si oponente e vetvetes nuk është një luks politik.
Është një domosdoshmëri institucionale.
Në mungesë të këtij roli, i gjithë sistemi i kontrollit zhvendoset jashtë partisë: tek mediat, tek opozita, tek institucionet e drejtësisë apo tek reagimi spontan i opinionit publik.
Por në atë moment, reagimi vjen gjithmonë me vonesë.
Dhe kur korrigjimi vjen me vonesë, kostoja politike dhe shoqërore është shumë më e lartë.
Një parti serioze nuk duhet të presë sinjalet e krizës për të reflektuar.
Ajo duhet të ndërtojë mekanizma të brendshëm që e detyrojnë reflektimin përpara krizës.
Kjo do të thotë se forcat politike në pushtet duhet të pranojnë një parim themelor:
se besnikëria ndaj partisë nuk është heshtje përballë gabimeve të saj, por kurajë për t’i adresuar ato.
Në këtë kuptim, oponenti i brendshëm nuk është kundërshtar i partisë.
Ai është garant i shëndetit të saj politik.
Ai është zëri që mbron partinë nga vetëkënaqësia.
Ai është mekanizmi që e mbron nga mbyllja në vetvete.
Ai është kushti që e mban të lidhur me realitetin.
Prandaj, në kushtet e një qeverisjeje të gjatë dhe të konsoliduar, krijimi i një kulture të brendshme oponence nuk është zgjedhje politike.
Është domosdoshmëri për mbijetesë politike.
Sepse vetëm një parti që ka kurajën të jetë oponentja e vetvetes, mund të ruajë aftësinë për të qenë forcë qeverisëse e përgjegjshme përpara qytetarëve.
6. Roli i partisë dhe qeverisja vendore
Një nga treguesit më të qartë të mënyrës së si funksionon një parti politike në një sistem të konsoliduar qeverisjeje është raporti i saj me nivelin vendor të pushtetit.
Bashkitë, njësitë administrative dhe strukturat lokale nuk janë thjesht hallka administrative të shtetit. Ato janë hapësira ku politika takohet më drejtpërdrejt me qytetarin, ku vendimmarrja ka efekt të menjëhershëm në jetën e përditshme dhe ku besimi publik ndërtohet ose humbet në mënyrën më konkrete.
Pikërisht për këtë arsye, roli i partisë në nivel vendor nuk mund të reduktohet vetëm në funksione elektorale.
Ajo nuk mund të jetë një strukturë që aktivizohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore dhe që më pas tërhiqet nga skena publike, duke i lënë institucionet vendore të funksionojnë pa një referencë politike aktive dhe të vazhdueshme.
Kryetari i bashkisë shndërrohet në figurën e vetme të identifikueshme publike.
Ndërsa struktura e partisë në atë nivel humbet gradualisht zërin, rolin dhe ndikimin e saj politik.
Kjo krijon një asimetri të rrezikshme.
Nga njëra anë kemi një pushtet ekzekutiv lokal të fortë dhe të personalizuar.
Nga ana tjetër kemi një strukturë partiake formalisht ekzistuese, por politikisht të zbehur që kontrollohet o nga kryetari i bashkisë, ose nga drejtuesi i emëruar politik i qarkut.
Në këto kushte, qytetari fillon ta identifikojë të gjithë përgjegjësinë politike me një individ të vetëm: kryetarin e bashkisë.
Ndërsa partia dhe forumet e saj mbeten në sfond.
Kjo nuk është një situatë e shëndetshme për asnjë sistem politik që synon balancë, kontroll dhe përfaqësim të qëndrueshëm.
Partia në nivel vendor duhet të jetë më shumë sesa një strukturë mbështetëse e pushtetit vendor.
Ajo duhet të jetë një hapësirë e gjallë politike, ku diskutohen problemet e komunitetit, ku artikulohen shqetësimet e qytetarëve dhe ku vlerësohet performanca e qeverisjes vendore në mënyrë të vazhdueshme.
Në këtë kuptim, ajo nuk është vetëm pjesë e mekanizmit elektoral, por edhe pjesë e mekanizmit të llogaridhënies politike.
Kryetari i partisë në nivel bashkie dhe strukturat drejtuese lokale nuk mund të jenë figura dytësore apo simbolike.
Ata duhet të kenë një rol aktiv në jetën publike të komunitetit.
Të jenë të pranishëm në debatin qytetar.
Të ndërmjetësojnë mes shqetësimeve të komunitetit dhe institucioneve vendore.
Dhe, mbi të gjitha, të jenë zëri i parë politik që artikulon interesin publik në atë territor.
Në mungesë të këtij roli, krijohet një boshllëk i rrezikshëm përfaqësimi.
Qeverisja vendore mbetet pa një oponencë politike të organizuar.
Dhe vendimmarrja lokale rrezikon të shkëputet nga kontrolli politik i nevojshëm.
Një tjetër element i rëndësishëm është raporti midis strukturës së partisë dhe organeve të qeverisjes vendore.
Në një sistem të shëndetshëm politik, këto dy nivele nuk duhet të ngatërrohen me njëri-tjetrin, por as të shkëputen.
Partia nuk duhet të ndërhyjë në administrimin e përditshëm të bashkisë. Por ajo nuk mund të heqë dorë nga roli i saj politik i vlerësimit, orientimit dhe kontrollit.
Ky dallim është thelbësor.
Sepse shpesh, në praktikë, ose kemi një shkëputje të plotë mes partisë dhe bashkisë, ose kemi një përthithje të strukturës partiake kryesisht nga kryetari i bashkisë.
Të dyja këto skaje prodhojnë deformime.
Në rastin e parë, partia humbet ndikimin e saj politik.
Në rastin e dytë, ajo humbet pavarësinë e saj organizative.
Roli i partisë në nivel vendor duhet të jetë pikërisht në ekuilibrin midis këtyre dy rreziqeve.
Ajo duhet të jetë njëkohësisht mbështetëse e qeverisjes dhe garantuese e përgjegjësisë së saj.
Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është institucionalizimi i debatit të rregullt politik në nivel lokal.
Strukturat e partisë duhet të funksionojnë si forume të përhershme diskutimi mbi prioritetet e komunitetit, mbi politikat vendore dhe mbi mënyrën se si ato zbatohen.
Vendimmarrjet e rëndësishme të këshillave bashkiakë nuk duhet të jenë thjesht çështje teknike votimi, por rezultat i një procesi më të gjerë konsultimi dhe debati politik dhe publik.
Në këtë mënyrë, partia rikthehet në rolin e saj natyror: si urë lidhëse midis qytetarit dhe institucioneve të qeverisjes.
Dhe qytetari nuk e përjeton më partinë vetëm si strukturë zgjedhore, por si aktor të vazhdueshëm në jetën publike të komunitetit të tij.
Vetëm në këtë mënyrë mund të shmanget rreziku i personalizimit të pushtetit vendor dhe dobësimit të identitetit politik të partisë në nivel lokal.
Sepse, në fund të fundit, forca e një partie nuk matet vetëm në qendër.
Ajo matet në mënyrën se si ajo ekziston dhe funksionon në çdo qytet, në çdo bashki dhe në çdo komunitet ku ajo ushtron ndikim politik.
7. Kryesia e partisë si institucion kontrolli dhe debati politik
Në jetën e një partie politike, veçanërisht kur ajo ushtron pushtet për një periudhë të gjatë, organet drejtuese nuk janë thjesht struktura organizative.
Ato janë mekanizma që përcaktojnë cilësinë e debatit politik, nivelin e kontrollit të brendshëm dhe aftësinë e partisë për të korrigjuar vetveten.
Në këtë kuptim, Kryesia e partisë nuk mund të reduktohet në një forum formal miratimi vendimesh.
Ajo duhet të jetë institucioni më i lartë i debatit politik të brendshëm midis cikleve zgjedhore dhe, njëkohësisht, një mekanizëm i qëndrueshëm kontrolli mbi mënyrën se si ushtrohet qeverisja.
Kur Kryesia humbet këtë funksion, partia fillon të humbasë një nga instrumentet e saj më të rëndësishme të vetërregullimit.
Vendimmarrja zhvendoset jashtë saj.
Debati zëvendësohet nga raportimi.
Dhe kontrolli politik zëvendësohet nga administrimi i informacionit.
Në një situatë të tillë, Kryesia nuk është më një hapësirë ku formësohen qëndrime politike, por një strukturë ku thjesht formalizohen vendime të marra më parë në nivele të tjera të pushtetit.
Ky është një nga momentet më të dukshme të dobësimit institucional të një partie në pushtet.
Sepse aty ku mungon debati, mungon edhe korrigjimi.
Dhe aty ku mungon korrigjimi, gabimet nuk mbeten më individuale, por shndërrohen në probleme sistemike.
Për këtë arsye, rivendosja e rolit të Kryesisë si institucion kontrolli dhe debati është një kusht themelor për rigjallërimin e jetës së brendshme politike të partisë.
Kryesia duhet të jetë vendi ku politika shqyrtohet në thelb, jo vetëm në formë.
Ku projektet e qeverisjes nuk prezantohen si vendime të përfunduara, por si propozime që mund të analizohen, të debatohen dhe të përmirësohen.
Ku ministrat dhe përfaqësuesit e niveleve të tjera të qeverisjes nuk raportojnë thjesht për rezultate, por përballen me analizë politike mbi zgjedhjet që kanë bërë.
Një Kryesi funksionale duhet të ketë aftësinë të krijojë debat real, jo të simulojë konsensus. Sepse konsensusi i parakohshëm është shpesh shenjë e mungesës së diskutimit të vërtetë.
Në këtë kuptim, forca e Kryesisë nuk matet me unanimitetin e vendimeve të saj, por me cilësinë e argumenteve që përballen brenda saj.
Një tjetër element thelbësor është raporti i Kryesisë me qeverinë.
Në një sistem të shëndetshëm politik, Kryesia nuk është një zgjatim i qeverisë.
Ajo nuk funksionon si strukturë mbështetëse e pakushtëzuar e ekzekutivit.
Përkundrazi, ajo duhet të jetë një hapësirë ku qeveria i nënshtrohet analizës politike të partisë që e ka krijuar dhe mandatuar qeverinë.
Ky raport nuk është raport antagonizmi, por raport kontrolli dhe përgjegjësie.
Qeveria qeveris.
Kryesia analizon, orienton dhe vlerëson.
Kur ky dallim zbehet, krijohet një situatë ku qeveria dhe partia fillojnë të shkrihen në një trup të vetëm pa mekanizma të brendshëm kontrolli.
Dhe në mungesë të kontrollit të brendshëm, çdo sistem politik bëhet më i ekspozuar ndaj gabimeve të paidentifikuara në kohë.
Një Kryesi funksionale duhet gjithashtu të ketë rol aktiv në ndërtimin e politikave publike.
Ajo nuk duhet të kufizohet në reagim pas faktit. Duhet të jetë pjesë e procesit të formësimit të vendimmarrjes politike përpara se ajo të marrë formë përfundimtare në qeveri.
Kjo nënkupton që dokumentet strategjike, projektligjet kryesore dhe politikat me ndikim të gjerë shoqëror duhet të kalojnë përmes një procesi real debati politik në forumet e partisë.
Ky proces nuk e dobëson qeverinë.
Përkundrazi, e forcon atë.
Sepse e pajis me një bazë më të gjerë argumentimi, e ndihmon të identifikojë rreziqet në kohë dhe e lidh më fort me realitetin shoqëror.
Në mungesë të këtij procesi, vendimmarrja rrezikon të ngushtohet në një rreth të kufizuar institucional, duke humbur kontaktin me reflektimin politik kolektiv.
Një tjetër funksion i rëndësishëm i Kryesisë është ruajtja e kulturës së përgjegjësisë politike.
Në një parti të madhe dhe serioze, përgjegjësia ka tendencë të shpërndahet dhe të bëhet e paqartë.
Kryesia duhet të shërbejë si një pikë referimi ku kjo përgjegjësi identifikohet, diskutohet dhe, kur është e nevojshme, artikulohet qartë.
Kjo nuk do të thotë ndëshkim i menjëhershëm politik, por as shmangie e përgjegjësisë.
Do të thotë krijim i një kulture ku vendimmarrja ka gjithmonë një adresë politike.
Në këtë mënyrë, Kryesia shndërrohet në një institucion që jo vetëm administron jetën e brendshme të partisë, por që mbron edhe integritetin e saj politik.
Sepse në fund të fundit, një parti që nuk ka një Kryesi funksionale si hapësirë debati dhe kontrolli, rrezikon të humbasë aftësinë për të reflektuar mbi vetveten.
Dhe një parti që nuk reflekton mbi vetveten, herët a vonë humbet aftësinë për të kuptuar realitetin që e rrethon.
8. Rigjenerimi i elitave
Asnjë parti politike nuk mund të mbetet e gjallë dhe funksionale për një kohë të gjatë pa një proces të vazhdueshëm rigjenerimi të elitave të saj politike dhe administrative.
Ky nuk është një proces teknik, as thjesht çështje rotacioni formal emrash apo pozicionesh. Është një çështje thelbësore e vitalitetit politik, e lidhjes me shoqërinë dhe e aftësisë së një partie për të prodhuar ide, drejtim dhe përgjegjësi të reja.
Në mungesë të rigjenerimit, çdo parti politike fillon të ngurtësohet. Strukturat e saj stabilizohen në mënyrë të tepruar. Dhe hapësirat e hyrjes për energji të reja ngushtohen gradualisht.
Në këtë moment, partia nuk pushon së ekzistuari, por fillon të humbasë dinamizmin e saj politik.
Një nga pasojat më të dukshme të këtij procesi është shkëputja graduale midis përfaqësuesve politikë dhe realitetit shoqëror që ata pretendojnë të përfaqësojnë.
Elita politike, në mungesë të rinovimit, rrezikon të mbyllet në vetvete.
Fillon të flasë gjithnjë e më shumë me gjuhën e administratës dhe gjithnjë e më pak me gjuhën e qytetarëve.
Fillon të lexojë realitetin përmes filtrave institucionalë dhe jo përmes përvojës së drejtpërdrejtë me qytetarët.
Dhe gradualisht krijohet një hendek i dukshëm mes vendimmarrjes dhe perceptimit publik.
Ky hendek është një nga shenjat më të qarta të një krize të brendshme politike.
Rigjenerimi i elitave nuk ka të bëjë vetëm me individët që hyjnë apo dalin nga skena politike.
Ai ka të bëjë me mënyrën se si një parti prodhon vazhdimisht kapacitet të ri politik.
Një sistem i shëndetshëm politik nuk mbështetet vetëm te figurat ekzistuese, por krijon mekanizma që lejojnë daljen në pah të figurave të reja.
Këto mekanizma mund të jenë organizativë, institucionalë, por mbi të gjitha kulturorë.
Sepse kultura politike është ajo që përcakton nëse një parti e inkurajon apo e frenon rinovimin.
Nëse promovon konkurrencën e ideve apo e zëvendëson atë me unanimitetin dhe komformizmin servil.
Një nga rreziqet më të mëdha në këtë drejtim është krijimi i një elite të mbyllur politike dhe administrative, ku pozicionet perceptohen si të përhershme dhe jo si të përkohshme.
Në një mjedis të tillë, karriera politike fillon të varet më shumë nga afërsia me strukturat e pushtetit, me ministrin apo kryeministrin, sesa nga aftësia për të përfaqësuar dhe drejtuar.
Ky fenomen nuk ndikon vetëm në cilësinë e qeverisjes, por edhe në cilësinë e përfaqësimit politik.
Sepse kur mungon konkurrenca reale e brendshme, dobësohet edhe presioni për përmirësim.
Dhe kur dobësohet presioni për përmirësim, rritet rreziku i vetëkënaqësisë dhe arrogancës.
Në këtë kontekst, rigjenerimi i elitave administrative është po aq i rëndësishëm sa ai i elitave politike.
Administrata publike, nëse mbetet e lidhur ngushtë me strukturat politike pa një proces të vazhdueshëm rinovimi profesional dhe etik, rrezikon të humbasë neutralitetin dhe efikasitetin e saj.
Një administratë e ngurtësuar nuk është vetëm problem teknik. Ajo bëhet problem politik.
Sepse ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohet dhe funksionon qeverisja.
Rigjenerimi i elitave nuk duhet kuptuar si ndërprerje e vazhdimësisë, por si kusht për ruajtjen e saj.
Një parti që nuk rinovohet, degradon.
Ndërsa një parti që rinovohet vazhdimisht, arrin të ruajë identitetin e saj duke u përshtatur me ndryshimet e shoqërisë.
Ky është thelbi i qëndrueshmërisë politike.
Një element i rëndësishëm i këtij procesi është krijimi i hapësirave reale për përfshirjen e brezave të rinj në vendimmarrje.
Jo vetëm si prani simbolike, por si pjesëmarrje me ndikim real.
Sepse përfshirja formale pa ndikim real nuk prodhon rigjenerim; prodhon iluzion rigjenerimi.
Po ashtu, është e domosdoshme që promovimi në hierarkinë politike dhe administrative të bazohet në meritë, në aftësi dhe në kontribut, dhe jo në inercinë e pozicioneve apo në logjikën e rrethit të mbyllur.
Në mungesë të këtyre parimeve, çdo proces rigjenerimi mbetet i pjesshëm dhe i paqëndrueshëm.
Në fund të fundit, rigjenerimi i elitave nuk është çështje estetike e politikës.
Është çështje funksionale e saj.
Është mënyra e vetme për të siguruar që një parti politike të mos kthehet në një strukturë të ngurtë, por të mbetet një organizëm i gjallë, i aftë të mësojë, të korrigjojë dhe të udhëheqë.
9. Mandati i katërt i qeverisjes: mes legjitimitetit, vetëkënaqësisë dhe arrogancës
Fitorja e një mandati të katërt qeverisës për çdo forcë politike përbën një ngjarje politike të jashtëzakonshme. Ajo nënkupton një nivel të lartë besimi elektoral, një vazhdimësi të qëndrueshme në mbështetjen qytetare dhe një aftësi të provuar për të mbajtur kontrollin e procesit qeverisës për një periudhë të gjatë kohe.
Por pikërisht për shkak të këtij suksesi, lind edhe një nga rreziqet më të mëdha për çdo parti në pushtet: kalimi nga legjitimiteti politik në vetëkënaqësi institucionale.
Legjitimiteti është besimi që qytetarët i japin një force politike për të qeverisur.
Vetëkënaqësia është perceptimi se ky besim është i pakufizuar, i pandryshueshëm dhe i pakushtëzuar, madje edhe i detyruar.
Ky kalim është shpesh i padukshëm në fillim, por me kalimin e kohës mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e qeverisjes dhe në raportin e partisë me shoqërinë.
Një mandat i katërt nuk është thjesht vazhdim i të mëparshmëve.
Ai është një fazë e re politike, me sfida të ndryshme, me pritshmëri më të larta dhe me një nivel më të madh kompleksiteti në raportin midis pushtetit dhe qytetarëve.
Në këtë fazë, rreziku kryesor nuk është mungesa e aftësisë për të qeverisur, por humbja graduale e ndjeshmërisë politike ndaj realitetit shoqëror.
Kur një parti qeveris për një kohë të gjatë, ajo rrezikon të zhvillojë një perceptim të shtrembëruar të marrëdhënies së saj me shoqërinë.
Sukseset e përsëritura elektorale mund të krijojnë iluzionin e një mbështetjeje të madhe, të përhershme dhe të pakushtëzuar.
Ndërsa mungesa e një opozite të fortë mund të reduktojë intensitetin e debatit publik dhe të kritikës politike.
Në këto kushte, vetë sistemi politik rrezikon të humbasë disa nga mekanizmat e tij natyralë të korrigjimit.
Kjo është arsyeja pse një mandat i katërt kërkon më shumë vetëdije politike sesa mandatet e mëparshme.
Jo më pak përgjegjësi.
Jo më pak vendosmëri.
Por më shumë reflektim, më shumë vetëkritikë dhe më shumë aftësi për të dëgjuar sinjalet e shoqërisë.
Një nga rreziqet më të zakonshme në këtë fazë është shkëputja graduale midis vendimmarrjes politike dhe perceptimit qytetar.
Kjo shkëputje nuk ndodh menjëherë dhe as në mënyrë të hapur.
Ajo fillon me detaje të vogla: me dobësimin e debatit të brendshëm, me formalizimin e konsultimeve, me mungesën e transparencës, me reduktimin e kritikës së organizuar dhe me rritjen e distancës midis strukturave vendimmarrëse dhe realitetit të përditshëm.
Me kalimin e kohës, këto detaje shndërrohen në një problem më të gjerë politik: humbjen e ndjeshmërisë ndaj shqetësimeve reale të qytetarëve.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është mënyra se si interpretohet suksesi elektoral.
Në politikë, numrat janë të rëndësishëm, por nuk janë gjithçka. Një shumicë e madhe parlamentare nuk është automatikisht tregues i një harmonie të plotë me shoqërinë.
Ajo mund të jetë rezultat i faktorëve të ndryshëm institucionalë, politikë dhe shoqërorë që nuk përkthehen domosdoshmërisht në një mbështetje të pakushtëzuar për çdo aspekt të qeverisjes.
Prandaj, interpretimi i fitores duhet të jetë gjithmonë i balancuar me një analizë të thellë të realitetit shoqëror.
Një qeveri që e lexon fitoren si konfirmim të gjithçkaje që bën, rrezikon të humbasë aftësinë për vetëkorrigjim.
Ndërsa një qeveri që e lexon fitoren si një mandat të kushtëzuar për përmirësim të vazhdueshëm, rrit shanset për qëndrueshmëri afatgjatë politike.
Në këtë kuptim, roli i partisë bëhet edhe më i rëndësishëm në një mandat të katërt.
Ajo duhet të jetë mekanizmi që ruan ekuilibrin midis suksesit politik dhe realitetit shoqëror.
Duhet të jetë hapësira ku interpretohet jo vetëm fitorja, por edhe kufijtë e saj.
Duhet të jetë institucioni që kujton se çdo mandat është një kontratë e re me qytetarët dhe jo një certifikatë e pakufizuar besimi.
Vetëkënaqësia politike është një nga rreziqet më të vështira për t’u identifikuar në kohë, sepse ajo shpesh maskohet si stabilitet.
Por stabiliteti pa vetëkritikë rrezikon të shndërrohet në dështim.
Dhe ngurtësimi i një sistemi politik është gjithmonë fillimi i humbjes së fleksibilitetit dhe aftësisë për t’u përshtatur me ndryshimet shoqërore.
Prandaj, në kushtet e një mandati të katërt, sfida nuk është vetëm të ruhet efikasiteti i qeverisjes.
Sfida është të ruhet gjallëria politike e partisë dhe lidhja e saj e drejtpërdrejtë me shoqërinë.
Sepse në fund të fundit, legjitimiteti politik nuk është një status i fituar një herë e përgjithmonë.
Ai është një proces i vazhdueshëm që duhet rinovuar përmes dëgjimit, korrigjimit dhe përgjegjësisë së përditshme.
10. Një model i ri organizimi për Partinë Socialiste
Çdo analizë serioze mbi gjendjen e një partie që qeveris për një kohë të gjatë është e pamjaftueshme nëse mbetet vetëm në konstatime dhe nuk shoqërohet me propozime konkrete.
Sepse problemi kryesor i një partie politike nuk është mungesa e analizës, por mungesa e mekanizmave konkretë që e përkthejnë analizën në ndryshim institucional.
Në këtë kuptim, një reformim i Partisë Socialiste nuk mund të kufizohet në deklarata parimore apo në përsëritjen e nevojës për “modernizim” në terma të përgjithshëm.
Ai kërkon një model të ri funksionimi, i cili rikthen balancën midis partisë dhe pushtetit, forcon jetën e brendshme demokratike dhe rrit kapacitetin e partisë për vetëkontroll politik.
Një parti që qeveris nuk mund të funksionojë me të njëjtën logjikë si një parti në opozitë.
Por as nuk mund të shkrihet me strukturat e pushtetit.
Ajo duhet të gjejë një ekuilibër të ri institucional midis tre funksioneve themelore: përfaqësimit politik, kontrollit të qeverisjes dhe organizimit të debatit shoqëror.
Në këtë drejtim, një model i ri organizimi duhet të mbështetet mbi disa parime të qarta.
Së pari, institucionalizimi i debatit politik si funksion i përhershëm dhe jo episodik.
Strukturat drejtuese të partisë, në të gjitha nivelet, duhet të kenë një rol të rregullt në analizën e politikave publike, të performancës së institucioneve dhe të prioriteteve të qeverisjes.
Ky debat nuk duhet të jetë formal dhe as thjesht informues.
Ai duhet të jetë real, argumentues dhe me pasoja në orientimin politik.
Së dyti, ndarja e qartë funksionale midis partisë dhe pushtetit.
Funksionarët e qeverisë nuk mund të jenë njëkohësisht edhe bartësit kryesorë të kontrollit politik brenda partisë pa një mekanizëm të balancuar përgjegjësie.
Partia duhet të ruajë kapacitetin e saj për të vlerësuar qeverisjen pa u shkrirë me të.
Së treti, forcimi i strukturave vendore si qendra reale të jetës politike.
Organizatat e partisë në bashki dhe njësi administrative duhet të jenë hapësira të gjalla debati, përfaqësimi dhe ndërveprimi me qytetarët.
Ato nuk mund të funksionojnë si zgjatime të administratës vendore, por si aktorë politikë me identitet të qartë.
Së katërti, krijimi i mekanizmave të rregullt të llogaridhënies politike.
Këto mekanizma duhet të përfshijnë raportime periodike të qeverisë përpara strukturave të partisë, analiza të performancës së institucioneve dhe vlerësime politike të politikave kryesore publike.
Qëllimi nuk është ndërhyrja në administrim, por sigurimi i përgjegjësisë politike.
Së pesti, hapja e partisë ndaj rigjenerimit të vazhdueshëm të elitave.
Promovimi i drejtuesve duhet të bazohet në meritë politike, aftësi organizative dhe lidhje reale me shoqërinë, jo në stabilitetin e pozicioneve ekzistuese apo në logjikën se gjithçka e di dhe e vendos Kryeministri.
Në këtë mënyrë, partia mbetet një organizëm i gjallë dhe jo një strukturë e ngurtë.
Së gjashti, forcimi i rolit të Kryesisë dhe forumeve qendrore si institucione të debatit real politik.
Ato duhet të shërbejnë si hapësira ku qeverisja analizohet në mënyrë të vazhdueshme dhe ku vendimmarrja politike i nënshtrohet shqyrtimit të argumentuar.
Një model i tillë organizimi nuk synon të krijojë konflikt midis partisë dhe qeverisë.
Përkundrazi, synon të krijojë një marrëdhënie të shëndetshme kontrolli, bashkëpunimi dhe përgjegjësie të ndërsjellë.
Sepse një qeveri e fortë nuk dobësohet nga një parti e fortë.
Dhe një parti e fortë nuk ekziston pa aftësinë për të ushtruar kontroll politik mbi qeverisjen që vetë ka krijuar.
Në këtë kuptim, modeli i ri organizativ nuk është një ndryshim formal strukturash.
Është një ndryshim kulture politike.
Nga një kulturë e mbylljes dhe e miratimit të heshtur, drejt një kulture të debatit, transparencës dhe përgjegjësisë.
Nga një parti që reagon, drejt një partie që analizon dhe orienton.
Vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet një forcë politike e aftë të përballojë sfidat e një qeverisjeje të gjatë pa humbur identitetin e saj.
Dhe vetëm mbi këtë bazë mund të garantohet që pushteti të mbetet mjet i shërbimit publik dhe jo qëllim në vetvete.
11. Përfundime: si ta rifitojë vetveten Partia Socialiste
Në fund të çdo analize serioze politike, pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm se çfarë nuk funksionon, por se si mund të rikthehet një parti politike në funksionin e saj themelor: përfaqësimin e interesit publik dhe aftësinë për të prodhuar ndryshim shoqëror të qëndrueshëm.
Partia Socialiste, pas një periudhe të gjatë qeverisjeje dhe konsolidimi institucional, gjendet përballë një sfide që nuk lidhet vetëm me menaxhimin e pushtetit, por me vetë natyrën e saj si forcë politike.
Sfida e saj kryesore nuk është thjesht të fitojë zgjedhje.
As të ruajë pushtetin.
Sfida e saj është të mos shkëputet nga vetvetja.
Sepse në politikë, rreziku më i madh për një forcë që qeveris gjatë nuk është humbja e pushtetit, por humbja e identitetit politik.
Një parti mund të vazhdojë të fitojë zgjedhje dhe njëkohësisht të humbasë gradualisht lidhjen me shoqërinë.
Mund të ruajë strukturat formale dhe njëkohësisht të humbasë jetën e brendshme politike.
Mund të kontrollojë institucionet dhe njëkohësisht të humbasë aftësinë për të reflektuar mbi to.
Prandaj, rigjenerimi i Partisë Socialiste nuk është një çështje organizative në kuptimin teknik.
Është një çështje ekzistenciale politike.
Në thelb, ai kërkon një rikthim te disa parime themelore që kanë qenë në themelin mbi të cilin u krijua Partia Socialiste si forcë progresiste: lidhja me qytetarin, ndjeshmëria sociale, debati i brendshëm, përgjegjësia politike dhe aftësia për vetëkorrigjim.
Së pari, Partia Socialiste duhet të rikthejë marrëdhënien e saj të drejtpërdrejtë me qytetarin.
Jo vetëm në periudha zgjedhore, por si një prani e vazhdueshme në jetën publike.
Një prani që dëgjon më shumë sesa flet.
Që analizon më shumë sesa justifikon.
Dhe që reagon më shumë ndaj realitetit sesa ndaj perceptimit të vet për të.
Së dyti, duhet të rikthejë debatin e brendshëm si burim force dhe jo si rrezik.
Një parti që nuk toleron kritikën e brendshme humbet aftësinë për të kuptuar realitetin në kohë.
Ndërsa një parti që e kultivon debatin e brendshëm rrit kapacitetin e saj për të shmangur gabimet e mëdha strategjike.
Së treti, duhet të rivendosë ndarjen e qartë midis partisë dhe pushtetit.
Partia nuk mund të jetë shtojcë e qeverisë.
As qeveria nuk mund të funksionojë si zëvendësim i partisë.
Të dyja kanë role të ndryshme, por të ndërlidhura.
Dhe vetëm në këtë ndarje funksionale mund të garantohet një sistem i shëndetshëm i përgjegjësisë politike.
Së katërti, duhet të forcojë mekanizmat e llogaridhënies politike.
Qeverisja nuk mund të reduktohet në sukses administrativ.
Ajo është përgjegjësi politike përpara qytetarëve dhe përpara historisë së vendimmarrjes publike.
Së pesti, duhet të investojë në rigjenerimin e elitave politike dhe administrative.
Sepse asnjë forcë politike nuk mund të ruajë vitalitetin e saj pa hapje ndaj brezave të rinj, ideve të reja dhe formave të reja të përfaqësimit.
Së gjashti, duhet të kuptojë se suksesi elektoral nuk është fundi i procesit politik, por fillimi i një faze të re përgjegjësie.
Mandatet nuk janë pronë politike.
Ato janë kontrata të përkohshme me qytetarët.
Dhe si të tilla kërkojnë rishikim të vazhdueshëm të mënyrës së ushtrimit të pushtetit.
Në fund të fundit, një parti si Partia Socialiste nuk matet vetëm nga aftësia për të fituar pushtet.
Ajo matet nga aftësia për të mos u larguar nga parimet që e sollën në pushtet.
Dhe një nga këto parime themelore është se politika nuk është pronë e një individi, qoftë ky edhe Kryetari i Partisë, por shërbim ndaj shoqërisë.
Prandaj, “si ta rifitojë vetveten Partia Socialiste” nuk është thjesht një pyetje organizative.
Është një pyetje morale dhe politike njëkohësisht.
Është një thirrje për të rikthyer ekuilibrin midis pushtetit dhe përgjegjësisë,
midis stabilitetit dhe kritikës,
midis qeverisjes dhe përfaqësimit.
Dhe në fund, midis suksesit elektoral dhe kuptimit të vërtetë të politikës si shërbim publik.
Sepse vetëm duke rifituar vetveten, Partia Socialiste mund të vazhdojë të jetë një forcë e besueshme për të ardhmen. Vetëm kështu do të bëjë të mundur që qytetarët ta duan dhe ta mbështesin.
