MANIA PALESTËR PARA PLAZHIT! Trajneri Guma: Rezultatet kërkojnë kohë dhe vazhdimësi
Me afrimin e verës, gjithnjë e më shumë qytetarë i drejtohen palestrave për të përmirësuar formën fizike, por ekspertët theksojnë se rezultatet kërkojnë disiplinë dhe vazhdimësi. Trajnerët vërejnë se shumë persona regjistrohen për sezonin veror, por vetëm një pjesë e vogël arrijnë të mbeten të rregullt në stërvitje.
Me sezonin e verës, rritet edhe interesi për palestrën dhe dëshira për të pasur një trup sa më në formë.
Megjithatë, trajneri i CrossFit-it, Leonsjo Guma, thotë se rezultatet nuk vijnë shpejt dhe kërkojnë disiplinë të vazhdueshme.
Sipas tij, një nga pyetjet më të shpeshta që bëjnë të rinjtë është “sa kilogramë do të humbas?”, por shpesh neglizhohet procesi dhe koha që kërkon stërvitja.
Tranjeri thotë gjithashtu se një pjesë e madhe e personave që regjistrohen nuk e vijojnë aktivitetin rregullisht, ndërsa vetëm një përqindje e vogël mbetet konsistente në stërvitje.
Guma thotë se në periudhën e fundit vërehet më shumë disiplinë te femrat, të cilat janë më të rregullta në ndjekjen e programit të stërvitjes dhe më të fokusuara te tonifikimi i trupit
Sipas tij, ndryshimet në trup kërkojnë kohë, zakonisht mbi gjashtë muaj stërvitje të vazhdueshme dhe të disiplinuar.

