Berberi: Këtë vit pritet të tejkalohet rekordi i vizitorëve
Turizmi në Shqipëri nuk është më një aktivitet sezonal, por një industri që shtrihet gjatë gjithë vitit.
Kështu u shpreh operatori turistik Olger Berberi, i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, ku u diskutua mbi zhvillimin e sektorit të turizmit dhe pritshmëritë për sezonin 2026.
Sipas Berberit, sezoni turistik nuk nis vetëm me verën, pasi Shqipëria tashmë ofron destinacione tërheqëse në çdo periudhë të vitit.
Ai theksoi se vendi ka njohur një rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve në vitet e fundit, duke kujtuar se sipas statistikave, Shqipërinë e kanë vizituar nga 12 deri në 15 milionë turistë, ndërsa këtë vit pritet që ky rekord të tejkalohet.
Berberi nënvizoi se pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga vendet evropiane, veçanërisht nga Evropa Lindore dhe vendet skandinave, të cilët zgjedhin kryesisht destinacionet bregdetare.
Megjithatë, ai evidentoi se po rritet edhe interesi për turizmin historik dhe kulturor.

