ARRSH hap procedurën, 6 mbikalime për këmbësorët do të ndërtohen në kilometrat e parë të autostradës Tiranë–Durrës
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën për ndërtimin e 6 mbikalimeve për këmbësorët në autostradën Tiranë-Durrës. Projekti synon të rrisë sigurinë e banorëve që jetojnë përgjatë aksit dhe të shmangë kalimet e rrezikshme të rrugës. Tenderi mbyllet më 15 qershor, ndërsa punimet pritet të nisin menjëherë pas shpalljes së fituesit.
Autostrada Tiranë-Durrës do të pajiset me gjashtë mbikalime të reja për këmbësorët, në kuadër të fazës së dytë të projektit për zgjerimin dhe përmirësimin e këtij aksi rrugor.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën e tenderimit për realizimin e veprës, e cila synon të rrisë sigurinë e banorëve që jetojnë përgjatë autostradës dhe të reduktojë rrezikun nga qarkullimi i dendur i automjeteve.
Sipas ARRSH-së, mbikalimet do të krijojnë pika të dedikuara kalimi për këmbësorët, duke shmangur kalimet e pakontrolluara në një nga segmentet më të ngarkuara rrugore në vend.
Procedura e tenderimit pritet të përfundojë më 15 qershor, ndërsa pas shpalljes së kompanisë fituese, punimet do të nisin menjëherë në terren.
Projekti nuk përfshin vetëm ndërtimin e mbikalimeve, por edhe sistem ndriçimi, gjelbërim, barriera akustike dhe elementë të tjerë infrastrukture që synojnë përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe mjedisit.
Sipas planit, mbikalimet do të vendosen në gjashtë pika kyçe përgjatë kilometrave të parë të autostradës.
Ato do të ndërtohen pas objektit të VEKO Group, pranë Universitetit Polis në Yrshek, në afërsi të QTU-së, pranë BRUNES, përpara objektit të FedEx Albania dhe në zonën pranë Autostar.
Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerëson se ndërhyrja është e domosdoshme për shkak të fluksit të lartë të automjeteve dhe zhvillimit urban përgjatë këtij segmenti.
Punimet synohet të përfundojnë brenda muajit shtator, në mënyrë që mbikalimet të jenë funksionale me nisjen e vitit të ri shkollor dhe të shërbejnë për mijëra banorë e nxënës që lëvizin çdo ditë në këtë zonë.

