Dyshohet për disa vjedhje në banesa dhe biznese në Himarë, arrestohet 37-vjeçari nga Kruja

Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shëtitësi”, duke arrestuar një 37-vjeçar nga Kruja, i dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh të ndodhura në zonën e Bashkisë Himarë gjatë periudhës janar–qershor 2026.
Hetimet e deritanishme tregojnë se ai ka vjedhur banesa, dyqane, markete dhe objekte kulti në disa fshatra turistike të jugut të vendit. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë punën për dokumentimin e rasteve të tjera të dyshuara.
Njoftimi i Policise:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitësi”
Zbardhen një sërë vjedhjesh dhe vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e disa rasteve të tjera.
Vidhte në banesa, dyqane, markete dhe objekte kulti në territorin e Bashkisë Himarë. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 37-vjeçar nga Kruja.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të provave, administrimit të pamjeve filmike dhe kryerjes së veprimeve të shumta procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shëtitësi”, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. A., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Ky shtetas dyshohet si autor i disa vjedhjeve të ndodhura gjatë periudhës janar–qershor 2026, në zonat Dhërmi, Qeparo, Kuç dhe Himarë.
Nga hetimet ka rezultuar se ai ka vjedhur në banesa, dyqane, markete dhe objekte kulti, shuma parash dhe sende me vlerë, në këto zona të Bashkisë Himarë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për dokumentimin ligjor edhe të disa vjedhjeve të tjera të kryera gjatë kësaj periudhe, për të cilat 37-vjeçari dyshohet si autor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

