38 PROTOKOLLE PËR KANCERIN/ Ministrja Sala: Standard i njëjtë trajtimi në çdo spital
Shqipëria po ndërmerr një hap të ri në luftën kundër kancerit me krijimin e një sistemi të unifikuar kombëtar për trajtimin e pacientëve onkologjikë.
Gjatë një vizite në spitalet e Librazhdit dhe Pogradecit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, njoftoi se 38 udhërrëfyes kombëtarë për tumoret do të shndërrohen në protokolle klinike të detyrueshme për të gjitha spitalet e vendit.
Sipas saj, këto standarde janë hartuar në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano dhe synojnë që çdo pacient të marrë të njëjtin nivel kujdesi, pavarësisht se ku jeton.
Ministrja tha se reforma shënon kalimin nga një sistem që reagon ndaj sëmundjes në një model që fokusohet te parandalimi dhe zbulimi i hershëm i saj.
Një nga risitë kryesore të reformës është krijimi i një rrjeti të integruar kombëtar të kujdesit onkologjik, ku pacienti do të ndiqet në çdo hallkë të sistemit shëndetësor.
Ministrja bëri të ditur se spitalet e Librazhdit, Pogradecit, si dhe të gjitha spitalet bashkiake e rajonale, nuk do të jenë më vetëm pika referimi drejt Tiranës.
Sipas ministres së Shëndetësisë, qëllimi është që qytetarët të marrin më shumë shërbime pranë vendbanimit të tyre, me të njëjtat standarde profesionale dhe siguri klinike që aplikohen në qendrat më të avancuara evropiane.


