Trajneri apo sistemi? Shtrepi zbërthen arsyet reale të krizës së Gjermanisë

Në emisionin sportiv “Ora e Botërorit”, analisti i ftuar Josel Shtrepi solli një analizë mbi debatet e fundit që lidhen me moshën e trajnerëve dhe përgjegjësinë e tyre në rezultatet e kombëtareve të mëdha, me fokus te Gjermania dhe trajneri Julian Nagelsmann.

Gjatë diskutimit, u vu në dukje se në futbollin modern nuk ka më një standard të dyfishtë mes lojtarëve dhe trajnerëve, duke marrë si shembull aktivizimin e lojtarëve shumë të rinj në kompeticione të mëdha, ndërsa mosha e trajnerëve shpesh shndërrohet në temë kritike.

"Kur ne fusim në Botëror lojtarë 16 apo 18 vjeç, siç ndodh shpesh, nuk mund të kthejmë moshën e trajnerit në një labirint paragjykimesh. Një lojtar 18-vjeçar luan në nivele të larta, edhe nëse vjen nga kampionate më pak elitare. Por kur flasim për trajnerin, ndryshon menjëherë diskutimi."-tha ai.

Shtrepi u ndal edhe te Gjermania, duke argumentuar se problemi i skuadrës nuk lidhet me trajnerin, por me një proces më të thellë transformimi në futbollin e vendit.

"Problemi te Gjermania nuk ishte Nagelsmann. Është tranzicioni që po kalon futbolli gjerman dhe brezat e rinj. Skuadrës i ka munguar një grup me karakter dhe lidership në fushë. Trajneri mund të ketë bërë përzgjedhjen, por kjo nuk mjafton gjithmonë."-u shpreh Shtrepi.

Ai shtoi gjithashtu se trajnerët sot kanë në dispozicion staf të gjerë teknik, çka e ndan përgjegjësinë në mënyrë më të shpërndarë sesa në të kaluarën.

"Trajnerët sot nuk janë vetëm. Kanë staf të madh profesional dhe mund të bashkëpunojnë me ndihmës me eksperiencë për të ndërtuar ide më të qarta taktike. Kur përfaqëson një komb, të gjithë duhet të punojnë së bashku, pa ego personale."-tha ai.

EMISIONET