“E adhurojnë të gjithë”, Ferrari i mahnitur nga Hamilton!

Ish-inxhinieri i Ferrarit, Rob Smedley, ka zbuluar se atmosfera brenda skuadrës italiane është jashtëzakonisht pozitive sa i përket Lewis Hamilton, duke e krahasuar britanikun me legjendën Michael Schumacher.
Smedley, i cili kaloi dhjetë vite në Maranello dhe vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me ish-kolegët e tij te Ferrari, tha se shtatë herë kampioni i botës po gëzon mbështetje të madhe brenda ekipit.
“Janë të gjithë shumë të lumtur me të. Nga bisedat që kam me ish-kolegët, mund të them se janë në qiellin e shtatë për Lewisin. E adhurojnë”, deklaroi Smedley.
Britaniku beson se nëse Hamilton arrin të përshtatet plotësisht me makinën dhe të rikthejë Ferrarin në rrugën e fitoreve, ai mund të shkruajë një histori të ngjashme me atë të Schumacherit.
“Ne kemi diskutuar mundësinë që kjo të shndërrohet në një histori të stilit Schumacher. Nëse Lewis arrin të marrë kontrollin e plotë të makinës dhe të nisë të fitojë gara, ai mund ta udhëheqë Ferrarin drejt titujve botërorë”, u shpreh ai.
Smedley komentoi gjithashtu edhe rivalitetin mes Hamiltonit dhe shokut të skuadrës, Charles Leclerc, duke theksuar se në garat e fundit britaniku ka qenë dukshëm më konkurrues.
Sipas ish-inxhinierit të Ferrarit, megjithëse diferencat mund të ngushtohen deri në fund të sezonit, Hamilton mbetet favorit për të dominuar duelin e brendshëm.

