Protestat qytetare, Shella: Demokracia në Shqipëri ka "ngordhur", zëri i qytetarëve po injorohet!

Protestat qytetare, Shella: Demokracia në Shqipëri ka

Kreu i organizatës INFOÇIP, Gert Shella, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me mënyrën se si po trajtohen protestat qytetare në Shqipëri, duke deklaruar se mungesa e dialogut mes qeverisë dhe qytetarëve dëshmon krizën e demokracisë në vend. Në një intervistë për "Ora News", Shella tha se protesta që vijon prej 25 ditësh nuk është tregues i një demokracie të shëndetshme, por i një pakënaqësie të thellë qytetare të mbledhur ndër vite.

Sipas Shellës, protestat lidhen me një sërë problemesh të akumuluara, mes të cilave pamundësia për të aksesuar hapësirat publike, si bregdeti dhe zonat malore, si dhe mungesa e konsultimit publik për projektet me ndikim të madh në mjedis.

Ai theksoi se qeveria ka detyrim ligjor dhe kushtetues për të zhvilluar konsultime me qytetarët, veçanërisht për investimet strategjike që prekin mjedisin, duke kujtuar edhe angazhimet që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit europian, sidomos në lidhje me Kapitullin 27 për mjedisin.

"Nuk ka demokraci kur qytetarët dalin në shesh, protestojnë dhe qeveria vazhdon normalisht axhendën e saj pa i dëgjuar. Demokracia ekziston kur axhenda publike dominon atë qeveritare dhe interesi i qytetarëve vendoset mbi interesat e pushtetarëve", u shpreh Shella.

Kreu i INFOÇIP u shpreh kritik edhe ndaj shumicës qeverisëse, duke argumentuar se ajo është shkëputur nga realiteti dhe shqetësimet e qytetarëve. Sipas tij, protesta ka nxjerrë në pah mungesën e "tharmit demokratik" në vend.

Ai vlerësoi gjithashtu se protesta përballet me sfida të mëdha, pasi pasioni qytetar është i kufizuar në kohë, ndërsa mungesa e një opozite të fortë dhe të organizuar dobëson mundësinë që pakënaqësia qytetare të përkthehet në ndryshim politik.

Për Shellën, protestat kanë shërbyer të paktën për të ekspozuar krizën e demokracisë në Shqipëri dhe hendekun mes qytetarëve dhe institucioneve. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse zëri i protestuesve vijon të mos dëgjohet, ekziston rreziku që protesta të shuhet pa arritur të sjellë ndryshimet e kërkuara nga qytetarët.

 

Ger Shella: Shumica thotë ky është treguesi i një të pasurve të demokracisë në Shqipëri. Unë do mendoja që kjo premisë nuk qëndron, është e rreme. Për shkak se do të mjaftonte vetëm dita e parë, e dytë, e tretë e vërshimit masiv qytetar në rrugë lidhur me çështje tashmë të akumuluara prej vitesh që është pamundësia për të aksesuar bregdetin, pamundësia tashmë që shtohet për të aksesuar dhe malin, pra pamundësia për të shijuar, gëzuar vendin tënd dhe të konsideroheJ nga qeveria si pjesë e një konsultimi publik të munguar për një investim me impakt serioz, domethënës në mjedis.

Dhe ku është kusht ligjor në Republikën e Shqipërisë, madje është kusht kushtetues në Republikën e Shqipërisë, pa folur si kusht ligjor në rrethanat e ligjit për konsultimin publik, pa folur për angazhimin e afishuar të qeverisë shqiptare sepse e ka axhendën e vet politike të integrimit në Bashkimin Europian, ku kapitulli 27, pra çështja e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm me në themel mjedisin i cili nuk preket, nuk dëmtohet, nuk shkatërrohet, por promovohet e të tjera e të tjera. Qeveria do të kishte marrë masa për ta zhvilluar këtë konsultim të munguar dhe kjo do të ishte, mendoj unë, arritja më e shkëlqyer e një proteste e cila, sepse nuk ka demokraci, po shkon sot në ditën e 25-të.

Po demokracia nuk është, 'hajde të bërtasim'! Pra, ju kërkoni, ju afishoni pakënaqësinë, juve lini punët tuaja dhe dilni në shesh, bërtisni sa të doni dhe ne vazhdojmë axhendën tonë. Demokracia është kur axhenda publike e dominon axhendën qeveritare, është kur interesi madhor i publikut është i pari dhe interesat e kryeministrit, ministrave, të drejtorëve të tij janë të fundit. Sepse në fund të ditës është publiku që i ka vendosur këta në punë, është publiku që i paguan këta, është publiku në fund të ditës vetë arsyeja që këta qeverisin si administratorë vendin.

 Demokracia është një përmasë e përmbysur. Më vjen keq në qoftë se socialistët e kanë bërë këtë pohim, mendoj që ata gjithashtu janë të stakuar nga përmasat demokratike, po e po. Janë të stakuar nga përmasa publike, më vjen keq ta them, kur mendojnë që ata janë dhe një shumicë e cilësuar pothuajse në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe këtu dalim në problemin themelor: dy axhenda.

Njëra publike apo qytetare,  do hezitoja të thosha ajo e opozitës se opozita realisht nuk duket. Pra kjo është një problem më vete në rastin e këtij ekuacioni me disa variabla.. Dhe do të mjaftonte që interesi publik, shqetësimi publik, thirrjet demokratike të bëra në sheshin e protestës, të gjenin dikë që i dëgjonte, dikë që i merrte parasysh në ditën e 25-të.Më shumë ngjasë ka të vritet protesta sesa të dëgjohet zëri i protestës. Pra, nuk ka demokraci. Pra, protesta të paktën ekspozoi rrethanën që shumë prej nesh e kemi folur që përmasa demokratike apo tharmi demokratik në Shqipëri ka ngordhur, ka mbaruar. Pra, nuk ka demokraci.

Për të vlerësuar nëse ka një fitues apo jo, unë mendoj që është e rëndësishme të shtrohet se cilat janë variablat në këtë ekuacion, pra në këtë lojë apo ndërveprim që ka nisur tashmë. Po të ishte vetëm për qeverinë nga njëra anë apo për shumicën qeverisëse, dhe protestuesit.

Unë mendoj që protesta nuk do të kishte shans të fitonte. Sepse mandati për të qeverisur është katër vite, protesta është si të thuash një shpërthim i pasionit, por pasioni është i limituar. Pra pasioni nuk është një, si të thuash, lëndë e parë e cila mund të prodhohet në infinit nga njerëz të mërzitur, të acaruar apo me pasion të madh për vendin e tyre që të kenë mundësi të lulëzojë dhe t'i mirëmbajë në një farë kuptimi. Variabli i dytë që do ta potenconte, si të thuash, ekuacionin në favor të protestës dhe në disfavor të qeverisë, është opozita.

Opozita, pavarësisht se e ka afishuar qëndrimin e saj pro protestës, ajo vetë nuk arrin dot të afirmojë një alternativë që të jetë kovalente apo të korrespondojë me atë që në fakt është sinteza e zemëratës së atyre qytetarëve që kanë dalë dhe po protestojnë kundër qeverisë.

Dhe kjo sintezë është shumë e lehtë të bëhet, aty nuk është vetëm çështja e mjedisit të shkatërruar, aty është çështja, e thashë pak më sipër, e pamundësisë për ta gëzuar Shqipërinë. Vetë fakti që shqiptarët largohen, largohen, largohen, këtu vijnë investime strategjike, strategjike pafund dhe ka një, me sa po kuptoj libra të shkruar tashmë se si do të goditet me investime strategjike Shqipëria, pra si do të trulloset.

EMISIONET