Haradinaj nuk përjashton kandidimin për president: Opozita dështoi të bashkëpunonte kundër “epokës” Kurti!
Ramush Haradinaj vlerëson se opozita ka dështuar të krijojë një alternativë të përbashkët përballë Albin Kurtit. Sipas tij, vetëm bashkimi i forcave opozitare mund të ndryshojë drejtimin politik të Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se opozita ka dështuar të krijojë një marrëveshje të përbashkët politike, duke i lënë kështu hapësirë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit të vijojnë të dominojnë skenën politike.
Sipas tij, partitë opozitare nuk kanë arritur të ndërtojnë një kontratë të përbashkët politike dhe as të paraqesin një kandidat të përbashkët për president, elementë që sipas Haradinajt do të mund të ndryshonin ekuilibrat politikë në vend.
Ai shtoi se opozita mund të bëhet faktor vendimtar vetëm nëse bashkohet rreth një platforme të përbashkët dhe një kandidature unifikuese për postin e presidentit.
I pyetur për një kandidim të mundshëm të tij për president, Haradinaj tha se aktualisht nuk është kandidat dhe nuk ka paraqitur asnjë kërkesë në këtë drejtim, por nuk e përjashtoi mundësinë që ta shqyrtojë një propozim të tillë nëse do të mbështetej nga e gjithë opozita.
Në fund, ai përsëriti qëndrimin e tij se AAK nuk do të bëhet pjesë e një qeverisjeje të drejtuar nga Albin Kurti, duke e konsideruar atë të dëmshme për Kosovën.

