Kosova solidarizohet me Francën/ Haxhiu: Jemi të gatshëm të ndihmojmë në shuarjen e zjarreve

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur solidaritetin e Kosovës me Francën, e cila po përballet me zjarre të mëdha, duke bërë të ditur se vendi është i gatshëm të ofrojë ndihmë brenda kapaciteteve të saj.
Haxhiu deklaroi se Kosova mund të mbështesë autoritetet franceze në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, si dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin francez dhe me të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe komunitetet e prekura nga zjarret”, u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se Kosova mbetet e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj, në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet shtetërore, në këtë situatë të vështirë që ka prekur Francën.
Deklarata e Haxhiut vjen në një kohë kur disa zona të Francës po përballen me zjarre të mëdha pyjore, duke kërkuar angazhim të shtuar të ekipeve të emergjencës për mbrojtjen e banorëve dhe pronave.


