Ohri dhe Struga mbeten strehë nga temperaturat e larta, por turistët ankohen për çmimet

Ohri dhe Struga po shndërrohen në destinacionet më të kërkuara për t’u shpëtuar temperaturave të larta të verës, ndërsa plazhet e liqenit të Ohrit vazhdojnë të tërheqin vizitorë nga vendi dhe rajoni.
Gastronomët presin që moti i mirë dhe temperatura e ujit rreth 24 gradë Celsius të sjellin edhe më shumë turistë gjatë javëve në vijim. Vizitorët që kanë zgjedhur këto dy qytete për pushime shprehen të kënaqur me bukuritë natyrore, ujin e pastër dhe atmosferën që ofron zona.
Një turist nga Prishtina tha se ka ardhur në Strugë për të qëndruar rreth 30 ditë, duke theksuar se rikthehet çdo vit për shkak të natyrës, njerëzve dhe plazheve. Megjithatë, ai kërkoi më shumë kujdes për pastërtinë e qytetit dhe hapësirave bregdetare.
Vizitorët vlerësojnë bukurinë e liqenit, por një pjesë e tyre kanë shprehur pakënaqësi për çmimet. Sipas tyre, kostot në restorante dhe shërbime turistike janë rritur dhe nuk përputhen gjithmonë me standardin e pushuesve.
“Çmimet janë të larta kudo, por ndryshimi është se në vendet evropiane pagat janë më të mëdha dhe njerëzit mund t’i përballojnë më lehtë”, u shpreh një turist.
Ndërkohë, operatorët turistikë në Strugë thonë se numri i vizitorëve është në rënie krahasuar me vitet e kaluara. Ata ankohen se shumë turistë po zgjedhin destinacione të tjera si Shqipëria, Turqia dhe Greqia, përshkak të çmimeve dhe cilësisë së shërbimeve.
Operatori i varkave, Nenad Guçeski, tha se plazhet shpesh mbeten të zbrazëta, veçanërisht gjatë ditëve të caktuara të javës, ndërsa turistët që riktheheshin çdo vit po kërkojnë alternativa të reja.
Pavarësisht sfidave, Ohri dhe Struga vazhdojnë të mbeten ndër destinacionet kryesore verore në rajon, me liqenin dhe bukuritë natyrore si avantazhin e tyre më të madh turistik.



