Epidemia në Gostivar/ Rriten sërish rastet: 125 pacientë kërkuan ndihmë mjekësore brenda një dite

Situata me epideminë nga uji i kontaminuar në Gostivar vijon të shqetësojë autoritetet shëndetësore, pasi numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është rritur sërish.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, më 25 korrik janë regjistruar 125 pacientë në spitalin dhe qendrën shëndetësore të Gostivarit, ndërsa një ditë më herët numri kishte rënë ndjeshëm në 80 raste.
Ministria ka publikuar të dhënat statistikore, por deri tani nuk ka dhënë një shpjegim lidhur me arsyet e rritjes së re të numrit të pacientëve.
Numri më i lartë i të prekurve është regjistruar më 18 korrik, kur gjithsej 649 persona kërkuan ndihmë mjekësore. Nga data 14 deri më 25 korrik, në total 4070 pacientë janë paraqitur për trajtim.
Ndërkohë, uji në Gostivar vazhdon të mos jetë i përshtatshëm për konsum. Sipas njoftimeve, pritet që ai të jetë i përdorshëm për qëllime teknike në ditët në vijim, ndërsa për pirje do të duhet të priten rezultatet përfundimtare të kontrolleve shëndetësore.


