"Deklarata e Tivarit tregoi dobësinë e Tiranës"/ Ramabaja: Kosova u la jashtë vendimmarrjes
Analisti politik Sabri Ramabaja, në një lidhje direkte për Ora News, komentoi zhvillimet e fundit në raportet rajonale dhe perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ramabajës, në kushtet e tensioneve gjeopolitike dhe përpjekjeve për të kufizuar ndikimin rus dhe kinez në rajon, Bashkimi Evropian duhet të rishikojë qasjen ndaj Serbisë dhe të vendosë kushte më të qarta dhe më të forta.
"Ende nuk ka një rikëndellje të plotë në Bruksel se pozicionimi ndaj Serbisë duhet të ndryshojë në mënyrë rapide dhe me kushte të rrepta. Për fat të keq, Tirana zyrtare ra në provim në samitin e Tivarit, duke krijuar hapësirë që një deklaratë e përbashkët të publikohej pa marrë në konsideratë vullnetin politik të përfaqësuesve të Kosovës."-shtoi ai.
Ramabaja e konsideroi këtë një sinjal që ngre pikëpyetje mbi koordinimin politik të Tiranës në çështjet që lidhen me Kosovën dhe rajonin.
Duke folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ai kujtoi se pranimi në grup i vendeve anëtare nuk është një praktikë e panjohur dhe se në të kaluarën interesat gjeopolitike kanë ndikuar drejtpërdrejt në vendimet e zgjerimit.
"Pranimi në grup i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të jetë një sukses i madh i Bashkimit Evropian, por aktualisht nuk ka sinjale të qarta se kjo do të ndodhë. Gjasat më të mira janë që brenda tre viteve të ardhshme Mali i Zi dhe Shqipëria të avancojnë drejt anëtarësimit."- u shpreh Ramabaja.
Sipas analistit, zgjerimi i BE-së ka treguar edhe më herët se vendimet strategjike shpesh kanë peshuar më shumë se kriteret teknike të secilit shtet. Megjithatë, ai vlerësoi se aktualisht nuk ka tregues konkretë që vendet e Ballkanit Perëndimor do të pranohen së bashku në Bashkimin Evropian.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

