'Po e ngremë këtë shqetësim në PE'/ Vata: Dh*na ndaj protestuesve para Kuvendit, e paprecedentë

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë.
Në videon e publikuar, Vata e cilëson si të paprecedentë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, ndërsa thotë se çështja është ngritur edhe në takimet që ajo dhe kolegët e saj të opozitës kanë zhvilluar në Parlamentin Europian.
“Është e paprecedentë dhuna që u ushtrua ndaj protestuesve sot përpara Parlamentit të Shqipërisë. Gjej rastin këtu, nga Parlamenti Europian, ta ngremë këtë shqetësim, jo vetëm unë, por edhe kolegët e mi të opozitës, që prej dy ditësh jemi këtu dhe kemi takuar shumë eurodeputetë”, shprehet Vata.
Sipas saj, protestat në Shqipëri dhe ajo që ajo e quan “Revolucioni i Flamingove” kanë qenë pjesë e diskutimeve në takimet me eurodeputetët, duke theksuar se protesta ka pasur pjesëmarrje të gjerë qytetare.
Deputetja shton se do të vijojë denoncimin e asaj që e cilëson si dhunë të paprecedentë ndaj qytetarëve që, sipas saj, po protestonin në mënyrë paqësore përpara Kuvendit të Shqipërisë.
“Gjej edhe njëherë rastin të denoncojmë këtë dhunë të paprecedentë. Pamjet janë edhe më të rënda se ato fillestare të Zvërnecit, ndaj disa qytetarëve që po protestonin krejt paqësisht përpara Kuvendit të Shqipërisë”, deklaron ajo.

