"Mali i Zi shembull i zhvillimit nga turizmi"/ Rama: Vend që s'prodhon por sot renditet në krye të Ballkanit Perëndimor për pagat

Kryeministri Edi Rama në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan, u ndal te zhvillimi ekonomik në rajon dhe ndikimi i investimeve strategjike në sektorin e turizmit.

Ai krahasoi ecurinë ekonomike të vendeve fqinje, duke përmendur Malin e Zi si një rast suksesi në Ballkanin Perëndimor për rritjen e pagave, pensioneve dhe të ardhurave për frymë.

“Mali i Zi është një vend i vogël, me 500-600 mijë banorë, që sot renditet në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për paga dhe pensione. Nuk ka industri të madhe, nuk ka prodhim të zhvilluar si vendet e tjera, por ka ditur të shfrytëzojë turizmin dhe investimet strategjike. Një pjesë e madhe e produkteve që konsumon i vijnë nga Shqipëria, megjithatë ka arritur të krijojë të ardhura më të larta për frymë edhe se Serbia.”-tha kreu i qeverisë.

Rama u ndal edhe te një projekt i madh investimi në fushën e turizmit, duke kujtuar se sipas tij, fillimisht ishte menduar të realizohej në Shqipëri, por më pas u zhvendos në Mal të Zi.

Ai shtoi se vendimmarrjet e atëhershme dhe pengesat në vend kanë ndikuar në humbjen e një mundësie zhvillimi, që sipas tij, do të kishte ndryshuar ndjeshëm nivelin ekonomik të vendit.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se projekte të ngjashme sot po hasin debate dhe protesta, të cilat, sipas tij, shpesh ngatërrojnë shqetësimet mjedisore me interesa të tjera.

 

EMISIONET