Lamallari: Zjarrvënësit po sulmojnë sigurinë kombëtare, deri në 15 vite burg për autorët

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria ka rritur gatishmërinë për përballimin e sezonit të zjarreve, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra ndaj autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme.

Gjatë një aktiviteti mbi mbrojtjen civile, Lamallari theksoi se zjarret mbeten një nga sfidat më të mëdha për vendin, duke sjellë si shembull situatën e rëndë që po përjeton Franca.

Ai bëri të ditur se qeveria ka hartuar plane operacionale në të 61 bashkitë, ka kryer mijëra inspektime, ka forcuar sistemin e monitorimit dhe koordinimin me Policinë e Shtetit për të goditur çdo rast zjarrvënieje të qëllimshme.

Sipas Lamallarit, ndryshimet në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndëshkimet, duke parashikuar deri në 15 vite burg për zjarrvënësit, në varësi të pasojave të shkaktuara.

“Kush i vë zjarrin pyjeve, kullotave apo rrezikon jetën e qytetarëve, nuk sulmon vetëm natyrën, por sulmon sigurinë kombëtare dhe do të përballet me forcën e ligjit”, u shpreh ai.

Lamallari nënvizoi gjithashtu se janë rritur investimet për shërbimin zjarrfikës, duke përfshirë financimin për 130 mjete të reja zjarrfikëse, ndërtimin e katër stacioneve të reja në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë, si edhe shtimin e fondeve për forcimin e kapaciteteve operacionale në të gjithë vendin.

Besfort Lamallari: Rreth 3 orë larg nga këtu ku jemi mbledhur sot, po zhvillohet prej ditësh një nga betejat më të vështira me zjarret masive në kontinentin tonë. Evropa po ndjek me shqetësim përpjekjet e Francës përballë një situate që ka vënë në sprovë kapacitetet e një prej shteteve më të forta dhe të zhvilluara të Evropës. Është një nga ato emergjenca që dëshmon se s'ka shtet sado i zhvilluar që të mos sfidohet nga zjarri dhe nuk ka institucion që mund t'i përballojë ato i vetëm dhe pa përgatitjen e duhur.

Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri. Dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë. Zjarri nuk pyet për kufijtë administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë. Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonominë, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona. Prandaj, përgatitja për sezonin e zjarreve nuk është një ushtrim rutinë dhe as përmbushja e një detyre funksionale. Është shumë më shumë se kaq.

Është një detyrim kombëtar dhe një provë e aftësisë së shtetit për të mbrojtur qytetarët. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme e kanë trajtuar vijimësisht këtë sfidë me përgjegjësinë që kërkohet, duke mos pritur që emergjenca të ndodhë për të reaguar. Prioriteti ynë ka qenë dhe mbetet të ndërtojmë kapacitete përpara emergjencës. Në funksion të kësaj, gjatë muajve të fundit, janë marrë masa konkrete në të gjithë territorin e vendit, duke hartuar planet operacionale në të 61 bashkitë. Janë kryer mijëra inspektime teknike, forcuar sistemi i vrojtimit dhe i monitorimit, janë organizuar takime ndërgjegjësuese me komunitetet dhe përdoruesit e fondit pyjor. Është rritur koordinimi me policinë e shtetit për të goditur menjëherë çdo rast zjarrvënie të qëllimshme.

Nga ana tjetër, ndëshkimi në kodin penal për zjarrvënien është ashpërsuar deri në 15 vite burgim, në varësi të pasojave dhe rrethanave të veprës. Kush i vë zjarrin pyjeve, kullotave apo rrezikon jetën e qytetarëve, nuk sulmon vetëm natyrën, sulmon sigurinë kombëtare dhe do të përballet me forcën e ligjit. Mbrojtja e Shqipërisë nga zjarret fillon me përgjegjësinë e gjithësecilit prej nesh. Dhe emergjenca më e mirë është ajo që nuk ndodh kurrë. Prandaj, kemi forcuar gatishmërinë operacionale në të gjithë strukturën tonë.

Kemi garantuar funksionalitetin e mjeteve, rezervat logjistike, pajisjet e ndërhyrjes, komunikimin në terren dhe dislokimin e forcave në zonat me risk më të lartë. Në bashkëpunim me prefektët, bashkitë, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kemi ndërtuar një mekanizëm shumë më efikas reagimi sesa vitet e shkuara. Të nderuar, ne e dimë shumë mirë se përballja me ndryshimet klimatike nuk mjafton këtu vetëm gatishmëria. Duhet modernizim, teknologji dhe investime të vazhdueshme.

Fakt është që ne kemi kërkuar dhe kemi rritur financimin vit pas viti për shërbimin zjarrfikës. Kemi rritur pagat e efektivëve, kemi zgjeruar kapacitetet operacionale dhe kemi planifikuar investimin më të madh të viteve të fundit për rinovimin e flotës së zjarrfikësve, plot 130 mjete të reja zjarrfikëse të cilat do të financohen nga buxheti i shtetit. Si dhe kemi ndërtuar dhe mundësuar ndërtimin e katër stacioneve të reja zjarrfikëse në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë. Me aktin normativ të buxhetit 2024, kemi shtuar dhe 227.7 milionë lekë për shërbimin.

EMISIONET