“Gaz lotsjellës pa paralajmërim”/ Këshilli Shqiptar Helsinki: Forca në protestën e 2 korrikut ngre shqetësime për proporcionalitetin

“Gaz lotsjellës pa paralajmërim”/ Këshilli Shqiptar

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 para Kuvendit të Shqipërisë.

Në një reagim zyrtar, Komiteti ka dënuar aktet e dhunshme të kryera nga disa individë gjatë tubimit, por edhe përdorimin e forcës së konsideruar joproporcionale nga ana e Policisë së Shtetit.

Sipas KShH, gjatë ndërhyrjes janë përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe forma të tjera force, përfshirë raste të shtrirjes së protestuesve në tokë dhe goditje ndaj tyre.

Komiteti vëren se e drejta për tubim paqësor është e garantuar me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa ndërhyrja e shtetit duhet të jetë e domosdoshme dhe proporcionale.

Në raportin e monitorimit, theksohet se protesta kishte në përgjithësi karakter paqësor, ndërsa episodet e dhunshme të veçuara nuk e ndryshojnë natyrën e saj si tubim paqësor në tërësi.

KShH shpreh shqetësim për kalimin e shpejtë nga një situatë e qetë në përdorimin e gazit lotsjellës, si dhe mungesën e paralajmërimit për shpërndarje të protestuesve, që sipas tij përbën standard të domosdoshëm procedural.

Gjithashtu, në reagim ngrihet shqetësimi për përdorimin e forcës ndaj personave të neutralizuar dhe të shtrirë në tokë, për të cilët kërkohet hetim i pavarur dhe efektiv.

Komiteti thekson se përdorimi i forcës ndaj personave që nuk paraqesin rrezik mund të përbëjë shkelje të rëndë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe cenim të dinjitetit njerëzor.

EMISIONET