Serbia arreston në pikëkalimin e Mutivodës shtetasin kosovar, dyshohet për krime lufte në 99'

Autoritetet serbe kanë arrestuar një shtetas në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, që lidh Kosovën me Serbinë, nën dyshime për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuari është Osman Selmani, i lindur në vitin 1953, ndaj të cilit Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Autoritetet serbe pretendojnë se ekzistojnë dyshime se më 14 qershor 1999, në zonën e Sofalisë në Prishtinë, në bashkëpunim me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka marrë pjesë në vrasjen e dy civilëve të nacionalitetit serb.
Në njoftim nuk specifikohet qartë nëse i dyshuari ka qenë pjesë e UÇK-së, ndërsa rasti është bërë publik përmes institucioneve serbe.
Familjarët e Osman Selmanit kanë konfirmuar arrestimin e tij më 1 korrik në Mutivodë, teksa ai po kthehej nga vendlindja.
Ata i kanë cilësuar akuzat si të pabazuara dhe të pavërteta, duke shprehur besimin për pafajësinë e tij dhe pritjen e zbardhjes së plotë të rastit.
Autoritetet e Kosovës janë kontaktuar për informacion mbi rastin dhe pritet përgjigje zyrtare.
Serbia ka arrestuar edhe më herët shtetas kosovarë nën dyshime për krime lufte në periudhën e viteve 1998–1999.


