Çela: Qeveria po bën veshin e shurdhër ndaj protestës mbarëqytetare, akuzat për "forca të huaja" janë shmangie nga përgjegjësia
Gjatë një interviste në emisionin "Drejt" në Ora News, avokati Ervis Çela ka kritikuar ashpër heshtjen dhe arrogancën e qeverisë përballë protestës masive të qytetarëve, duke e cilësuar hedhjen e tezave për ndikime të huaja si një përpjekje të pastër për t'u shmangur nga përgjegjësia dhe problematikat reale, pikërisht në prag të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare si Samiti i NATO-s.
"Sepse në qoftë se ata që kanë dalë në protestë dhe që janë të gjithë qytetarët e tutë, ankohen dhe sjellin aty të gjithë problematikat e gjithë viteve dhe gjithë mllefin e tyre karshi një arrogance të tejzgjatur pushteti që nuk i bën pjesë as të një, të themi minimumi i informacionit, të procedurave që ndodhin dhe jo më të një trajtimi njerëzor apo ligjor siç i takon të gjithë qytetarëve, të hedhësh tezën se këtu janë njerëz të tjerë apo janë forca të huaja të cilat e kanë organizuar këtë protestë është thjesht dhe vetëm shmangie nga protesta.
Por unë jam kurioz të di se si mundet një person i cili ka marrë votëbesimin e qytetarëve, një qeveri e caktuar, të heshtë përballë një zëri qytetar, mbarëqytetar, një proteste që është një ngjarje dhe një event për shtetin tonë, nuk ka bërë vaki ndonjëherë dhe është vërtet mbresëlënëse mënyra se si të gjithë qytetarët pa asnjë lloj dallimi dhe qoftë të moshës apo qoftë të përkatësive të ndryshme bëhen bashkë për të bërë një ndryshim apo për të kërkuar një ndryshim për sa i përket asaj që është jetesa dhe minimumi i të drejtave që ata kërkojnë.
Dhe a mund të shkohet dhe a mund të bëhet një vesh i shurdhër apo një sy i qorr karshi një proteste kaq të madhe qoftë në numër, qoftë në frymë kur së shpejti do të ndodhin ca evente ndërkombëtare, siç është edhe mbledhja e Samitit të NATO-s?", u shpreh Çela.
