Nga avokat në Durrës te akademia e Manchester City/ Andi Xhihani tregon historinë e tij të pazakontë
I ftuar në studion e emisionit “Ora e Botërorit”, Andi Xhihani ka folur për rrugëtimin e tij nga profesioni i avokatit në Durrës drejt futbollit dhe angazhimit në një projekt të lidhur me Manchester City.
Ai tregon se për rreth 10 vite ka ushtruar profesionin e avokatit dhe ka pasur studion e tij ligjore në Durrës, ndërsa pasioni për futbollin ka mbetur gjithmonë pjesë e jetës së tij. Paralelisht me punën në drejtësi, ai ka ndjekur licencimet e UEFA-s, duke marrë UEFA B dhe UEFA A.
“Kam 10 vite që ushtroj profesionin e avokatit dhe kam studion time në Durrës. Por pasioni për futbollin nuk është zhdukur asnjëherë. Jam licencuar me UEFA B dhe UEFA A dhe sot jam pjesë e Dyrrah City Football Academy, një bashkëpunim me Manchester City në Durrës.”-tha ai.
Sot ai është pjesë e “Dyrrah City Football Academy”, një projekt që bashkëpunon me Manchester City dhe fokusohet te zhvillimi i futbollit të moshave në Shqipëri.
Akademia përfshin grupmosha nga U9 deri në U19, ndërsa në staf janë edhe tre trajnerë anglezë që punojnë çdo ditë me lojtarët e rinj, me synimin për të rritur nivelin e përgatitjes dhe zbulimin e talenteve të reja.
Në fund, Xhihani e cilëson këtë nismë si një risi në futbollin e të rinjve në Shqipëri, që po sjell një standard të ri pune dhe përgatitjeje.


