Ebola në Kongo përshkallëzohet, mbi 1 400 viktima dhe mijëra raste të konfirmuara në shpërthimin e ri

Ebola në Kongo përshkallëzohet, mbi 1 400 viktima dhe mijëra

Shpërthimi i Ebolas në Republikën Demokratike të Kongos vijon të përhapet me ritme shqetësuese, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 405 persona që nga fundi i muajit prill, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore të vendit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara në laborator ka shkuar në 3 200, ndërsa shkalla e vdekshmërisë aktualisht është 43.9%. Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e personave të infektuar nuk kanë arritur të mbijetojnë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shifrat reale mund të jenë më të larta, pasi shumë raste mund të mos jenë zbuluar ose raportuar për shkak të vështirësive në zonat e prekura.

Sipas autoriteteve kongoleze, virusi ka qarkulluar për javë të tëra pa u identifikuar në lindje të vendit, duke komplikuar përpjekjet për kontrollin e epidemisë. Situata është përkeqësuar edhe nga konfliktet me grupet e armatosura dhe mosbesimi i një pjese të popullsisë ndaj ekipeve humanitare dhe shërbimeve shëndetësore.

Deri tani, raste të Ebolas janë regjistruar në pesë nga 26 provincat e Kongos, ndërsa provinca Ituri, në verilindje të vendit, është shpallur epiqendra e shpërthimit.

Ituri kufizohet me Ugandën dhe Sudanin e Jugut, ku edhe Uganda ka raportuar raste të virusit, përfshirë të paktën dy viktima.

Ebola është një sëmundje shumë e rrezikshme për jetën, e cila transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me personat e infektuar, veçanërisht përmes lëngjeve trupore.

Shpërthimi aktual paraqet vështirësi të mëdha për autoritetet, pasi varianti “Bundibugyo” i virusit nuk ka ende një vaksinë të miratuar ose një trajtim specifik të konfirmuar. Në fillim të korrikut kanë nisur provat klinike për dy terapi antivirale eksperimentale.

Me numrin aktual të viktimave, ky është bërë tashmë shpërthimi i tretë më vdekjeprurës i Ebolas në histori.

Epidemia e Ebolas në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2014–2015 shkaktoi mbi 11 mijë viktima, ndërsa shpërthimi në lindje të Kongos gjatë periudhës 2018–2020 mori rreth 2 300 jetë njerëzish.

EMISIONET