“Po humbasim një brez”/ Alarmi i pedagogut Susaj: Varfëria, mungesa e edukimit dhe shkollat pa formim qytetar
Kriza e edukimit, largimi i të rinjve dhe dobësimi i rolit të familjes e shkollës kanë qenë në qendër të analizës së pedagogut Lush Susaj, i ftuar në emisionin “Epiqendër”.
Ai ka ngritur shqetësimin se emigrimi i të rinjve nuk lidhet vetëm me kërkimin e një jete më të mirë ekonomike, por edhe me mungesën e sigurisë sociale dhe edukative në vend.
Sipas pedagogut, familjet shqiptare janë përballur vitet e fundit me vështirësi ekonomike që kanë ndikuar drejtpërdrejt në kohën dhe vëmendjen që prindërit u kushtojnë fëmijëve.
"Shpesh mendohet se rinia largohet vetëm për lekë apo për një jetë më luksoze, por në të vërtetë kemi një largim nga rënia e sistemeve të mbrojtjes dhe edukimit. Familjet janë të detyruara të luftojnë çdo ditë për të siguruar ushqimin, veshjet dhe nevojat bazë të fëmijëve, ndërsa koha për edukimin e tyre zvogëlohet."-tha ai.
Susaj ka sjellë në vëmendje edhe rolin e familjes në formimin e fëmijëve, duke argumentuar se mungesa e komunikimit dhe kujdesit prindëror krijon boshllëqe në rritjen e brezave të rinj.
Sipas tij, shoqëria duhet të rikthejë vëmendjen te dy shtyllat kryesore të edukimit: familja dhe institucionet arsimore.
"Njeriu ndryshon sepse ka aftësinë të edukojë dhe të mësojë brezat e rinj. Por sot shpesh fëmijët mbeten mes rrugës, teknologjisë apo faktorëve të tjerë, ndërsa prindërit nuk kanë gjithmonë mundësi të jenë pranë tyre për shkak të vështirësive ekonomike."-theksoi Susaj.
Pedagogu ka kritikuar edhe mënyrën se si zhvillohet edukimi në shkolla, duke thënë se përtej programeve mësimore, mungon një përqasje më e fortë ndaj edukimit qytetar.
Ai ka sjellë si shembull përvojën e tij në auditor, ku përpiqet që krahas njohurive profesionale t’u japë studentëve hapësirë për të diskutuar mbi fenomene shoqërore, kulturën dhe problemet e komunitetit.
"Në orën e mësimit përpiqem të ndaj kohën jo vetëm me teknologjinë dhe shkencën, por edhe me diskutime për letërsinë, shoqërinë, mjedisin dhe problemet që na rrethojnë. Edukimi qytetar në shkolla ka nevojë për më shumë vëmendje."-shtoi Susaj.
Sipas tij, dobësimi i edukimit lidhet edhe me rritjen e problemeve sociale. Ai u referohet teorive psikologjike që e lidhin dhunën me faktorë si varfëria dhe mungesa e arsimimit.
"Dhuna lind aty ku bashkohen varfëria dhe injoranca. Kur mungon edukimi, mungon edhe aftësia për të zgjidhur konfliktet dhe për të kuptuar pasojat e veprimeve."-tha ai.
Në fund të analizës së tij, pedagogu kërkoi më shumë vëmendje ndaj edukimit në familje dhe shkolla, duke e konsideruar atë një nga faktorët kryesorë për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.



