“Fëmijët po mësojnë të konkurrojnë, jo të kuptojnë njëri-tjetrin”/ Caka: Po humbasim inteligjencën emocionale
Mungesa e empatisë, ndikimi i rrjeteve sociale dhe mungesa e kohës së prindërve po ndikojnë te sjellja e brezit të ri.
Kjo ishte në fokus të diskutimit në emisionin “Epiqendër”, ku psikologia Loreta Caka ngriti shqetësimin për ndryshimet që po vërehen te fëmijët dhe marrëdhëniet e tyre me shoqërinë.
Sipas psikologes, dhuna te të rinjtë nuk lidhet vetëm me një ngjarje të caktuar, por me një proces më të gjerë që nis nga familja, edukimi dhe mënyra se si fëmijët ndërtojnë marrëdhëniet me të tjerët.
Ajo u shpreh se shumë prindër, për shkak të angazhimeve të përditshme, nuk kanë më kohën e nevojshme për të qenë pranë fëmijëve në aspektin emocional.
"Një fëmijë bëhet i dhunshëm kur nuk është empatik. Sot empatia po mungon dhe kjo vjen edhe nga mungesa e kohës së prindërve. Shumë prej tyre vrapojnë për punën dhe për të plotësuar nevojat materiale të fëmijëve, por në fund mungon komunikimi dhe kujdesi emocional."-tha ajo.
Sipas saj, pajisjet teknologjike shpesh përdoren si zëvendësim i kohës që mungon mes prindërve dhe fëmijëve. Telefonat dhe kompjuterët që fillimisht blihen për qëllime mësimore, në shumë raste përfundojnë duke u përdorur kryesisht për rrjetet sociale.
Psikologia solli në vëmendje ndikimin e platformave si TikTok dhe Instagram, ku sipas saj fëmijët përballen me modele sjelljeje që shpesh promovojnë konkurrencë të tepruar dhe kërkim të vazhdueshëm për vëmendje.
"Fëmijët shpesh nuk i përdorin pajisjet për të mësuar, por për të ndjekur tendencat e fundit në rrjete sociale. Kjo ndikon në mënyrën si ata shohin veten dhe të tjerët. Mungon inteligjenca emocionale, aftësia për të kuptuar emocionet e bashkëmoshatarëve dhe për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme."-tha psikologia.
Sipas Cakës, një nga problemet kryesore është se shumë prindër fokusohen vetëm te rezultatet akademike dhe notat, duke lënë në plan të dytë edukimin emocional dhe social të fëmijëve.
Ajo argumenton se përtej njohurive shkollore, fëmijët kanë nevojë të mësojnë respektin, bashkëpunimin dhe mënyrën e menaxhimit të emocioneve.
Ekspertët e lidhin rritjen e konflikteve mes të rinjve me disa faktorë që ndërthuren: mungesën e komunikimit në familje, ekspozimin e pakontrolluar ndaj përmbajtjeve online dhe dobësimin e edukimit qytetar.
Sipas psikologes, përballë kësaj situate nevojitet më shumë vëmendje ndaj formimit emocional të brezit të ri, pasi edukimi i një fëmije nuk lidhet vetëm me atë që di, por edhe me mënyrën se si sillet me të tjerët.


