DETAJE nga vr*sja e policit në Korçë/ Si u përballën efektivët me breshërinë e plumbave që i mori jetën Enea Mekollit
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e operacionit të Policisë në malin e Bodesë, ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos punonjësi i policisë Edison Adri gjatë përpjekjes për arrestimin e Violand Braçellarit.
Sipas dokumenteve hetimore, operacioni u organizua pas kallëzimit të një 32-vjeçari që punonte si çoban në bagëtitë e Braçellarit.
Ai kishte raportuar në Polici se ishte dhunuar dhe kanosur me armë nga i kërkuari, i cili, sipas dëshmisë së tij, qëndronte pranë stallave dhe ishte i armatosur.
Mëngjesin e 4 qershorit 2026, forcat e Policisë së Korçës rrethuan zonën ku ndodheshin stallat. Sipas dosjes, ende pa përfunduar rrethimi, ndaj efektivëve u hap zjarr.
Nga të shtënat humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, Violand Braçellari tentoi të largohej, por u kap i plagosur disa metra larg stallave.
Materialet hetimore përshkruajnë gjetjen e armës automatike që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit, si dhe dhjetëra gëzhojave të sekuestruara në vendngjarje.
Ekspertët kanë administruar gjithashtu njolla gjaku, pjesë predhash, armë zjarri dhe sende të tjera që do t'i nënshtrohen analizave laboratorike.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se efektivi Enea Mekolli është gjetur pranë stallave me plagë të shumta të shkaktuara nga armë zjarri.
Në dosje përmendet se arma e tij e shërbimit kishte ende fishek në fole dhe pothuajse të gjithë fishekët në krëhër, çka sipas hetuesve tregon se ai nuk kishte qëlluar gjatë përplasjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes, trajektoren e plumbave dhe përgjegjësitë penale që lidhen me sulmin ndaj forcave të Policisë.


