"Nesër do të jemi para Parlamentit"/ Merko: Nuk na trembin etiketimet si 'korba' dhe 'sorra'

Protestat kundër qeverisë pritet të vijojnë edhe këtë të hënë para Parlamentit. Në një lidhje direkte për Ora News, aktivistja Etleva Merko bëri të ditur se qytetarët do të rikthehen në shesh, ndërsa kritikoi reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve dhe mënyrën si funksionon sistemi politik në vend.
Sipas saj, protesta nuk ka të bëjë vetëm me kundërshtimin e qeverisë, por edhe me kërkesën për më shumë llogaridhënie, mbështetje sociale dhe ndryshime në sistemin zgjedhor.
"Ne sot nuk kemi një shtet social. Nuk kemi një shtet që i vjen në ndihmë qytetarëve dhe mendon për votuesit e tij. Shohim ministra, ish-ministra dhe zyrtarë nën hetim apo të arrestuar për çështje korrupsioni. Nuk e kuptoj si mund të quhemi ne korba dhe sorra vetëm sepse kërkojmë të drejtat tona në shesh."-tha ajo.
Merko u ndal edhe te komentet e kryeministrit, i cili i krahasoi protestuesit me "korba, sorra dhe flamingo", duke i cilësuar këto etiketime si të papranueshme për qytetarët që protestojnë.
Ajo konfirmoi se protesta do të vazhdojë edhe para Parlamentit, ndërsa kërkoi ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe më shumë përfaqësim të qytetarëve.
"Po, nesër do të jemi sërish para Parlamentit. Deputetët janë zgjedhur me lista të mbyllura dhe kjo duhet të ndryshojë. Kodi Zgjedhor duhet të reformohet. Nuk mund të vazhdohet sikur nuk dëgjohen kërkesat e qytetarëve që protestojnë jashtë dyerve të Parlamentit."-shtoi Merko.
Aktivistët kanë paralajmëruar se protesta do të zhvillohet gjatë seancës parlamentare, ndërsa kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale, duke e cilësuar këtë si një vazhdim të aksionit qytetar të nisur në ditët e fundit.


