Dosja e 3 zyrtarëve të AMP-së del 'Nul' në gjykatë. Apeli revokon masat për shefin e AMP Korçë dhe dy vartësit...

Një operacion policor i “shitur” në media si sukses në goditjen e 3 punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Korçë dhe Elbasan, ka rezultuar një dështim total, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, ka revokuar të gjitha masat e sigurisë për zyrtarët e AMP-së të proceduar për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” kryer në bashkëpunim.
Pesë ditë më parë në 22 korrik 2026, gjyqtari i Apelit Tiranë, Genti Dokollari, vendosi revokimin e 3 masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, që gjykata e shkallës së parë në Elbasan, vendosi ndaj Glodian Ahmetaj, Klevis Hoxha dhe Devis Ago.
Ndërsa vetë prokuroria e Elbasanit, kishte kërkuar caktimin e masave të sigurisë “Arrest shtëpie”, për 3 ish-zyrtarët e AMP-së Korçë. Kjo kërkesë nuk e pranua nga gjykata e Apelit, e cila hoqi totalisht të gjitha masat e sigurisë.
Ajo që në muajin qershor 2026, nisi me shumë vrull dhe njoftime sensacionale nga ana e AMP-së dhe prokurorisë së Elbasanit, në muajin Korrik 2026 përfundoi në një vendimmarrje tragjike në gjykatën e Apelit.
Pasi gjyqtari Dokollari, konstatoi se dosja nuk ka prova të elementëve penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, ndaj vendosi të revokojë masat për 3 zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Aktualisht Glodian Ahmetaj, Klevis Hoxha dhe Devis Ago, janë totalisht të lirë dhe se dosja me Nr. 238 e regjistruar në Elbasan për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”
Kjo është një çështje penale që fillimisht u referua në prokurorinë e Posaçme SPAK, e cila pasi kreu hetime nuk konstatoi asnjë vepër penale për “Grup të strukturuar kriminal” apo qoftë dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.
Nisur nga kjo situatë prokurorja e çështjes Doloreza Musabelli, në muajin 9 shkurt 2026, ka vendosur të shpallë moskompetencën e kësaj çështje penale, duke ja referuar materialet hetimore prokurorisë së Elbasanit.
Një ditë më pas, në 10 shkurt 2026, SPAK ka njoftuar prokurorinë e Elbasanit, për këtë vendimmarrje dhe më tej në datën 2 Mars 2026, prokurorja e Elbasanit, Jonida Allushi, ka vendosur të regjistrojë dosjen penale me Nr. 238 në ngarkim të ish-zyrtarëve të AMP-së Korçë, Glodian Ahmetaj, Klevis Hoxha dhe Devis Ago.
Në qershor 2026, prokurorja e çështjes kërkoi caktimin e masave të sigurisë “arrest në shtëpi” për 3 ish-zyrtarët e AMP-së. Ndërsa gjykata e Elbasanit vendosi të caktoi masën e “Detyrimit për tu paraqitur” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Por tashmë ky vendim është prishur nga Gjykata e Apelit Tiranës, duke zhveshur totalisht nga masa e sigurisë 3 zyrtarët e proceduar të AMP-së.
Kujtojmë se që nga nisja e hetimeve për këtë rast, paralelisht në AMP janë marrë një seri veprimesh administrative për largimin nga detyra të ish-shefit të AMP-së Korçë, Glodian Ahmetaj.
Mësohet se në 5 gusht 2025, drejtuesi i AMP-së nxori Urdhrin nr. 582 "Për transferim dhe emërim në detyrën e Këshilltarit të Drejtorit të Përgjithshëm", detyrë e cila u kundërshtua në gjykatë si jo e barazvlefshme.
Më tej drejtuesi i AMP-së nxori Urdhrin nr. 590 "Për përjashtim nga detyra" të Glodian Ahmetaj.
Ndërkohë në 14 Gusht 2025, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me Vendimin nr. 168, pranoi kërkesën e Glodian Ahmetaj, për sigurimin e padisë, pezulloi zbatimin e urdhrave nr. 582 dhe nr. 590 dhe urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të gjykatës.
Pavarësisht vendimit për sigurimin e padisë, Glodian Ahmetaj, nuk është rikthyer asnjëherë efektivisht në detyrë dhe nuk ka ushtruar funksionet e Drejtorit Rajonal të AMP-së Vlorë–Gjirokastër.
Ndërkohë në 17 qershor 2026, drejtori i AMP-së nxori Urdhrin nr. 541 për "ripranimin" në detyrë, duke parashikuar fillimin e të drejtave administrative dhe financiare nga data 18 qershor 2026, urdhër i kundërshtuar si i papajtueshëm me vendimin gjyqësor të dhënë në 14 Gusht 2025.
Vetëm 5 ditë nga ky “ripranim”, në 22 qershor 2026 Gjykata e Elbasanit mer vendimin për caktimin e masave të sigurisë dhe kontrollin e banesave të ish-zyrtarëve Glodian Ahmetaj, Devis Ago dhe Klevis Hoxha.
Një skenar i orkestruar nga shefat e AMP-së dhe prokurorisë së Elbasanit. Ndërkohë që 1 muaj më pas, 22 korrik 2026 ndaj Glodian Ahmetaj, AMP-ja nis një procedim disiplinor me qëllim penalizimin për mos ushtrimin e detyrës./ SYRI.NET



