“Jam vetëm një pikëz në protestë”/ Binaj: Njerëzit nuk mashtrohen më me teoritë e agjenturave

Aktori Florjan Binaj, i ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, foli për protestën qytetare, reagimet e qeverisë ndaj saj dhe akuzat se pas tubimeve fshihen ndikime nga agjentura të huaja.

Me ironi, ai komentoi pretendimet që janë bërë gjatë javëve të fundit, ndërsa u ndal edhe te pjesëmarrja në protestë dhe arsyet që, sipas tij, po bashkojnë qytetarët.

Sipas Binajt, protesta po mbledh njerëz me shqetësime të ndryshme, të cilët bashkohen nga një pakënaqësi e përbashkët ndaj mënyrës së qeverisjes.

Ai e përshkroi veten si një qytetar dhe artist që përdor zërin publik për të reaguar ndaj fenomeneve që i konsideron problematike në shoqëri.

"Një artist i angazhuar nuk e përdor talentin vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. E vendos emrin dhe zërin e tij në shërbim të së mirës së përbashkët. Në protestë jam vetëm një pikëz, por aty ka një bashkim që nuk e kemi parë më parë, sepse njerëz me halle të ndryshme janë bërë bashkë për të njëjtin shqetësim."-tha ai.

Binaj u ndal edhe te akuzat se protesta drejtohet apo financohet nga agjentura të huaja. Ai iu përgjigj këtyre pretendimeve me ironi, duke i cilësuar si një narrativë që, sipas tij, nuk bind më qytetarët.

"Iranianët janë korrektë, por paguajnë pak. Rusët paguajnë shumë, por nuk janë korrektë, ndërsa me grekët e kemi me kliring, na japin pushime. Këto histori nuk pinë më ujë. Sa më shumë përsëriten këto akuza, aq më shumë njerëzit e kuptojnë dhe aq më shumë shtohet protesta."-u shpreh Binaj.

Sipas aktorit, përpjekjet për ta etiketuar protestën nuk po japin efektin e pritur.

Ai vlerësoi se qytetarët po reagojnë mbi shqetësimet e tyre dhe jo mbi etiketimet politike, ndërsa pjesëmarrja në tubime vijon të mbetet e lartë.

 

EMISIONET