4 milionë euro për koncertin/ Preçi: Paratë e taksave nuk duhet të shpenzohen kështu

Ekonomisti Zef Preçi ka kritikuar mënyrën e përdorimit të fondeve publike për aktivitetin me vlerë 4 milionë euro, duke e cilësuar si një vendim që ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe prioritetet e shpenzimit të taksave të qytetarëve. I ftuar në emisionin “Drejt” në “Ora News”, Preçi u shpreh se raste të tilla nxjerrin në pah mënyrën se si qeveria dhe institucionet publike menaxhojnë fondet e buxhetit të shtetit.

Sipas Preçit, buxheti i shtetit është instrumenti kryesor ku materializohen politikat publike dhe çdo shpenzim duhet të justifikohet përmes një procesi të qartë ligjor dhe financiar.

Ai shpjegoi se për realizimin e një politike publike nevojiten tre elemente: vullneti politik, baza ligjore dhe mbështetja financiare. Megjithatë, sipas tij, përdorimi i fondit të veçantë të Këshillit të Ministrave duhet të lidhet vetëm me situata emergjente ose të jashtëzakonshme, si fatkeqësi natyrore apo raste kur nuk mund të ndiqen procedurat normale buxhetore.

“Fondi i veçantë ka destinacione të mirëpërcaktuara në ligj dhe duhet të argumentohet qartë përse nevojitet përdorimi i tij”, deklaroi Preçi, duke kërkuar shpjegime nga institucionet përgjegjëse për mënyrën e financimit të aktivitetit.

Ekonomisti ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e transparencës dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë të shtetit në promovimin e një aktiviteti të tillë. Sipas tij, promovimi nga autoritetet publike krijon një perceptim problematik për mënyrën se si përdoren fondet publike.

Preçi theksoi se organizimi i koncerteve me artistë ndërkombëtarë është një praktikë normale në shumë vende, pasi mund të sjellë përfitime ekonomike dhe turistike, por sipas tij financimi duhet të bëhet mbi baza të qarta dhe jo duke përdorur fonde që vijnë nga taksat e qytetarëve.

“Unë personalisht jam kundër që 2 eurot e mia të shpenzohen për atë qëllim, sepse mendoj që është dalje nga principet elementare të qeverisjes”, u shpreh Zef Preçi, duke kërkuar një debat më të gjerë publik mbi prioritetet e shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Zef Preçi: Së pari duhet thënë që gjithë kjo histori më kujton atë thënien që ra ky mort e u pamë. Ndodhi një ngjarje e tillë dhe kjo jep mundësinë për të kuptuar pozicionimin e qeverisë, pozicionimin e Ministrisë së Kulturës, pozicionimin e opinionit publik dhe mënyrën se si shpenzohen taksat tona. Pra, vija që i bashkon të gjitha palët e vetme është buxheti. Buxheti i shtetit është rezultati i mbledhjes së taksave dhe i borxheve që merren në emër dhe për llogari të qytetarëve. Është ligji më i rëndësishëm në kohë paqeje dhe aty materializohen politikat publike.

Dihet që për të ndërmarrë një aktivitet publik çfarëdo qoftë ai miratohet, por ajo që dua të them është që për të realizuar një qëllim politik nevojiten tre dimensione, tre anë. E para është vullneti politik mazhoranca në momentin që formohet qeveria, kur është e legjitimuar e të tjerë, ajo e ka dhe disponon këtë.

Së dyti duhet instrument legal: akt, vendim, ligj, udhëzues, dekret e të tjerë. Së treti duhet faturë financiare, përndryshe nuk materializohen politikat publike që ndiqen. Mirëpo kur vijmë tek rasti konkret, fondi i veçantë i Këshillit të Ministrave, kuptojmë që ka procedura strikte të përpunuara gjatë dekadës së parë të tranzicionit dhe më vonë ndoshta në ndryshime të vogla, që në thelb kanë të bëjnë me nevojën e ngutshme, me emergjencën. Ai ka të bëjë me situata kur nuk ke mundësi me mbledh parlamentin, ndoshta edhe qeverinë mund ta bësh me vendim qarkullues, ndodh një tërmet, një përmbytje, një situatë e pazakontë dhe nuk ke mundësi të ndjekësh rrugën normal Të miratimit të buxhetit.

Ne jemi dëshmitarë që nga viti 2017 është ndryshuar 22 herë me akt normativ buxheti dhe kjo është hera e fundit që ndryshohet, jo e fundit e fundit deri më sot, po jo e fundit në vazhdimësi, nuk i dihet. Dhe në të njëjtën kohë ka destinacione të mirëpërcaktuara në ligj se përse mund të përdoret dhe në çfarë rrethanash mund të preket. Domethënë ka nevojë për një argumentim nga ministria përgjegjëse, se i takon nevojës, përse duhet, sepse ministria e ka bërë.

Duhet ndjekur procedura e shpejtë apo procedura e zakonshme, është një aktivitet që ministria përgjegjëse, në rastin konkret e Kulturës, duhet të shpjegonte përse nuk mbulohet nga buxheti i vitit, sepse mund të ishte një aktivitet i parashikuar më herët.

Madje është në kushtet e mungesës së transparencës dhe siç e përmendët këtu në hyrje të emisionit, përfshirja e autoriteteve shtetërore, kryeministrit dhe ministres përgjegjëse për kulturën në promovimin e një aktiviteti të tillë lë pikëpyetje shumë të mëdha, sepse unë s'e kam dëgjuar të flitet për, ku di unë, festivalin që bën RTSH-ja, për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore apo për trupa të tjera artistike, as për këngën që shkon në Eurovizion, fjala vjen, ose kur bëhen festivalet folklorike të Gjirokastrës.

Nuk po them për të drejtat e transmetimit në sport e të tjerë, që përsëri hyjnë në këtë gamë raportesh midis sektorit publik dhe privat. Dhe përfshirja e autoriteteve publike në promovim lë hije të pakëndshme. Në të njëjtën kohë që këto janë aktivitete që në gjithë botën janë krejt normale. Domethënë, ftohet apo vjen një këngëtar i njohur, bën një koncert, është një mënyrë për të tërhequr audiencë të caktuar, për të rritur praninë.  Ata fitojnë më shumë dhe fiton diçka edhe ekonomia kombëtare, ky është principi.

Po të ishte që qeveria duhej të ndihmonte, në këto ditë janë artikuluar me dhjetëra opsione se ç'mund të ishte bërë e ç'mund të bëhet me 4 milionë euro. Unë personalisht jam kundër që 2 eurot e mia të shpenzohen për atë qëllim, sepse mendoj që është dalje nga principet elementare të qeverisjes.

 

EMISIONET