Franca apo Maroku? Nikoll Çoçlli zbulon detajin që i jep avantazh “Gjelave”: Një skuadër e ndërtuar për...
Nikoll Çoçlli ishte i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, ku analizoi përballjen mes Francës dhe Marokut, një nga sfidat më të rëndësishme të turneut. Në fokus ishte pyetja nëse Maroku mund të realizojë një tjetër surprizë të madhe apo nëse Franca do të konfirmojë statusin e një prej skuadrave favorite për trofeun.
Çoçlli u ndal te diferencat mes dy ekipeve, duke vlerësuar forcën e grupit francez, eksperiencën dhe cilësinë e lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Didier Deschamps.
“Kemi folur shumë gjatë gjithë kësaj kohe dhe shumë gjëra janë konsumuar. Mundohem të sjell disa detaje që ndoshta janë më pak të përmendura”, u shpreh Çoçlli gjatë analizës së tij.
Sipas tij, Franca nuk shihet si favorite vetëm nga emri, por nga përbërja dhe niveli që ka brenda skuadrës. Vlera e lartë e lojtarëve, eksperienca në ndeshje të mëdha dhe alternativa që ofron grupi janë disa prej faktorëve që e vendosin ekipin francez në një pozicion të favorshëm.
“Franca është një nga skuadrat më të mira për mua në aspektin teknik. Nuk e shoh si tifoz, por duke parë përbërjen e skuadrës dhe duke e peshuar përballë kundërshtarëve”, tha Çoçlli.
Maroku ka shkruar historinë duke arritur deri në këtë fazë të Botërorit dhe kërkon një tjetër mrekulli, por përballë ka një Francë me shumë eksperiencë dhe me një grup të ndërtuar për të luftuar për trofeun.
Sipas analizës së Çoçllit, diferenca mund të vijë pikërisht nga thellësia e skuadrës dhe cilësia individuale e lojtarëve francezë, elementë që në ndeshje të tilla shpesh vendosin fatin e përballjes.


