DY VR*SJE DHE 10 ORË NEGOCIATA/ Rozalinda Plaka jep dëshminë e parë nga tmerri i p*ngmarrjes: Pashë babanë të shtrirë në kuzhinë

Hetimet për ngjarjen e rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit vijojnë, ndërsa grupi hetimor pritet të marrë sërish në pyetje 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi, pasi ai vrau babanë e saj dhe plagosi rëndë nënën, e cila ndërroi jetë disa orë më vonë.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia e parë e të resë nuk ka ndihmuar në sqarimin e motiveve që çuan 35-vjeçarin të kryente krimin dhe më pas t’i jepte fund jetës, pas rreth 10 orësh negociata me Policinë dhe forcat RENEA.

Sipas hetimeve, menjëherë pasi u la e lirë nga autori, Rozalinda Plaka ka përshkruar vetëm momentet që ndodhën brenda banesës në mëngjesin e 24 korrikut.

Në dëshminë e saj, ajo ka treguar se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma në banesë. Pasi u zgjua, pa ish-partnerin e saj të armatosur me një armë gjahu në dhomë.

“Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, mësohet të ketë rrëfyer 24-vjeçarja para hetuesve.

Ajo ka shtuar se në ato momente nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur në banesë, ndërsa ka parë vetëm babanë e shtrirë në kuzhinë. Nënën, sipas dëshmisë së saj, nuk arriti ta shihte.

Lidhur me motivet e ngjarjes, përfundimin e marrëdhënies me Refit Buzin dhe pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t'i ruajtur, por që nuk i ishin kthyer, 24-vjeçarja nuk ka dhënë shpjegime. Për këtë arsye, hetuesit pritet ta marrin sërish në pyetje në vijim të hetimeve.

Ngjarja ndodhi më 24 korrik në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku humbi jetën Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Pas krimit, Refit Buzi u mbyll në automjetin e tij dhe, pas rreth 10 orësh negociata me Policinë, kreu vetëvrasje.

 

EMISIONET