DITA 42-të/ Protesta vijon, mblidhen qytetarët në sheshin "Skënderbej" për tubimin e rradhës
Tubimi i qytetarëve përpara Kryeministrisë vijon edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 42-të të protestës.
Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në skenën politike shqiptare.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Në mesin e kërkesave të tyre është krijimi i një qeverie teknike dhe largimi i figurave që i konsiderojnë pjesë të klasës së vjetër politike.
Tubimi i sotëm është njoftuar si një protestë kombëtare, pas thirrjeve të bëra edhe gjatë grumbullimeve të mëparshme.
Pas fjalimeve dhe mesazheve të protestuesve, pritet që qytetarët të vijojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Organizatorët kanë kërkuar pjesëmarrje më të gjerë, ndërsa protesta vijon prej më shumë se një muaji para Kryeministrisë.


