“Italia ka humbur identitetin”/ Demi zbulon krizën e futbollit italian dhe frikën për sfidat e Botërorit
Futbolli italian po përballet me një krizë të thellë, që sipas fizioterapistit Klaiv Demi lidhet me ndryshimin e brezave dhe mungesën e talenteve të reja. I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, Demi analizoi problemet e kombëtares italiane dhe sfidat që e presin futbollin axurr në vitet e ardhshme.
Sipas tij, Italia nuk po arrin më të prodhojë lojtarë si në periudhat e saj më të mira, ndërsa mënyra e zbulimit dhe zhvillimit të talenteve ka ndryshuar ndjeshëm.
“Ajo që po e vuajnë më shumë italianët është brezi. Ka ardhur një brez në Itali që e ka ndryshuar interesin. Nuk luhet më futboll në rrugë”, u shpreh Klaiv Demi.
Ai solli në vëmendje periudhën mes viteve 2010 dhe 2016, kur futbolli i të rinjve ishte më aktiv dhe shumë lojtarë kishin mundësi të dalloheshin përmes ekipeve të shkollave apo aktiviteteve lokale.
“Kishte futboll shkollash, kishte futboll kishash, kishte shumë aktivitete ku mund të bije në sy dhe të të merrte një ekip i madh italian. Sot kjo ka ndryshuar komplet”, tha Demi.
Sipas tij, edhe loja tradicionale italiane ka humbur forcën e saj dhe nuk mund të funksionojë më si në të kaluarën.
“E kanë humbur komplet lojën. Ajo loja italiane sot nuk mund të funksionojë më fare. Në Europianin e vitit 2020 pamë një Itali ndryshe, që mbante topin dhe krijonte raste, por sërish nuk arriti të jetë pjesë e Botërorit”, u shpreh ai.
Demi foli edhe për përballjet e ardhshme të Botërorit, duke u ndalur te sfida mes Francës dhe Spanjës, ku sheh më shumë mundësi për skuadrën spanjolle për shkak të stilit të lojës.
“Te Francë-Spanjë kam më shumë shpresë te loja spanjolle. Mund të tentojë ta kapë Francën në disa pika të dobëta”, tha fizioterapisti.
Ndërkohë, për duelin Norvegji-Angli, ai pranoi se parashikimi mbetet i vështirë, pasi të dyja skuadrat kanë treguar forcë dhe rezultate të rëndësishme.
Kriza e Italisë mbetet një nga temat më të diskutuara në futbollin europian, ndërsa federata dhe klubet kërkojnë një model të ri për rikthimin e kombëtares në nivelet e mëparshme.


