Revolucioni i akademive/ Jorgoni: Katër talente, 100 milionë euro dhe një model që po kopjohet nga bota
Futbolli spanjoll vazhdon të tregojë forcën e tij jo vetëm në fushë, por edhe në menaxhimin e talenteve të reja. Në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, eksperti sportiv Aleksandër Jorgoni foli për mënyrën se si akademitë spanjolle janë kthyer në një burim të rëndësishëm lojtarësh dhe të ardhurash për klubet e mëdha.
Sipas tij, ndryshimi i madh në futbollin iberik ka ardhur nga kombinimi i filozofisë së lojës dhe punës së vazhdueshme me të rinjtë. Modeli i krijuar ndër vite ka bërë që klubet të mos varen vetëm nga blerjet e shtrenjta, por të ndërtojnë sisteme që prodhojnë futbollistë të nivelit të lartë.
“Revolucioni që bëri Johan Cruyff, duke futur futbollin total dhe duke e ndërthurur me futbollin latin, e ka bërë këtë mënyrë loje superiore në krahasim me të kaluarën”, u shpreh Aleksandër Jorgoni gjatë diskutimit në studio.
Spanja prej vitesh njihet për akademitë e saj, ku klubet punojnë për zhvillimin e lojtarëve që në moshat e vogla.
Nga akademia e Barcelonës te strategjia e Real Madridit, talentet janë kthyer në një aset të madh sportiv dhe financiar.
Gjatë bisedës u soll edhe shembulli i Real Madridit, që sipas Jorgonit ka arritur të përfitojë rreth 100 milionë euro nga shitja e katër futbollistëve të formuar në strukturat e të rinjve.
“Nuk është një shifër e vogël. Janë një fabrikë që prodhon”, tha Jorgoni duke iu referuar mënyrës sesi klubet spanjolle po ndërtojnë të ardhmen përmes akademive.
Futbolli modern po tregon se suksesi nuk lidhet vetëm me transferimet e mëdha, por edhe me aftësinë për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e rinj. Modeli spanjoll mbetet një nga shembujt më të fortë të kësaj filozofie.


