Çfarë fshihet pas shpërthimit të Norvegjisë? Shtrepi zbulon rolin vendimtar të Haaland
Norvegjia është kthyer në një nga surprizat më të mëdha të këtij Kampionati Botëror dhe përballja me Anglinë në çerekfinale po shihet si një nga sfidat më interesante të turneut.
Në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, analisti sportiv Josel Shtrepi ka analizuar forcën e skuadrës nordike dhe rolin e Erling Haaland në këtë rrugëtim.
Sipas Shtrepi, Norvegjia ndodhet në një pozicion të veçantë, pasi një skuadër që nuk ishte pjesë e listës së favoritëve kryesorë të kompeticionit ka në përbërje një nga golashënuesit më të spikatur të Botërorit dhe një kandidat për Topin e Artë.
“Norvegjia patjetër ka edhe një nga golashënuesit e këtij kompeticioni. Është diçka e rrallë për një ekip që vjen dhe nuk hyn te pretendentët, te top 5 apo top 10 ekipet më pretendente. Kemi Haaland që pretendon, pra kemi një ekip mesatar dhe një lojtar që është ndër pretendentët e Topit të Artë. Prandaj kjo ndeshje i ka të gjitha elementet për të qenë një ndeshje çerekfinale.”-u shpreh ai.
Shtrepi u ndal edhe te emocionet që shoqërojnë këtë përballje, duke e cilësuar një duel ku dyshimet për kualifikimin janë të mëdha.
“Emocionet janë të shumta, dyshimet se kush do të kalojë janë të shumta. Është një ndeshje që ka shumë interes.”-tha Shtrepi.
Analisti zbuloi edhe preferencën e tij për këtë sfidë, duke treguar se së fundmi simpatizon skuadrën norvegjeze.
Norvegjia tashmë kërkon të vazhdojë historinë e saj në Botëror, ndërsa Haaland mbetet figura kryesore që mban mbi supe shpresat e një kombëtareje që po sfidon pritshmëritë.


