Tyson Fury s*lmon Kristian Prengën para duelit me Joshuan: Nëse nuk fiton, duhet ta harrojë boksin

Tyson Fury ka bërë një deklaratë të fortë në prag të përballjes mes Anthony Joshuas dhe boksierit shqiptar Kristian Prenga, duke vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e karrierës së ish-kampionit britanik në rast se ai nuk arrin të triumfojë.
Fury, i cili pritet të përballet me Joshuan në nëntor nëse të dy fitojnë sfidat e radhës, ka komentuar duelin e britanikut ndaj Prengës, që zhvillohet të shtunën në Arabinë Saudite.
Në një intervistë për “BoxingScene”, Fury u shpreh se Joshua nuk ka justifikim për të humbur një përballje të tillë.
“Nëse nuk mund të fitojë kundër Prengës, ai duhet ta harrojë boksin”, deklaroi Fury.
Britaniku vazhdoi me kritika të ashpra ndaj boksierit shqiptar, duke e cilësuar si një kundërshtar me pak përvojë në nivelin më të lartë.
“Prenga është si ajo që amerikanët do ta quanin një konservë domatesh. Fjalë për fjalë si një kundërshtar i zgjedhur lehtë. Pa tingëlluar mungesë respekti ndaj tij”, tha Fury.
Ai gjithashtu vuri në dyshim historikun e kundërshtarëve me të cilët është përballur deri tani Prenga.
“Ai nuk është përballur me askënd. As me dikë që mund të thuash se është një boksier i fortë. Askush. Dhe njëri prej tyre madje e ka nokautuar”, shtoi ish-kampioni britanik.
Deklaratat e Fury kanë shkaktuar reagime të shumta para sfidës së madhe, ku Kristian Prenga synon të befasojë botën e boksit përballë një prej emrave më të njohur të peshave të rënda, Anthony Joshua.


