Nga penalltia te notat katastrofike, Lucas Digne del lojtari më i kritikuar i Francës ndaj Spanjës

Lucas Digne është kthyer në një nga futbollistët më të komentuar pas humbjes së Francës ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Mbrojtësi i majtë hasi vështirësi në duelet me Lamine Yamal dhe paraqitja e tij ka hapur sërish diskutimet për këtë repart te kombëtarja franceze.
Digne e pati të vështirë të ndalte sulmuesin e Barcelonës, ndërsa në një prej dueleve shkaktoi edhe penalltinë që i dha Spanjës avantazhin në ndeshje.
Situata ndryshoi pas aktivizimit të Theo Hernandez.
Mbrojtësi francez u shfaq më i sigurt në mbrojtje dhe më aktiv në fazën sulmuese, duke kufizuar më mirë lëvizjet e Lamine Yamal.
Ky ndryshim riktheu diskutimet për zgjedhjen fillestare të trajnerit Didier Deschamps.
Pozicioni i mbrojtësit të majtë ka qenë një çështje e hapur te Franca edhe gjatë muajve të fundit.
Digne dhe Theo Hernandez janë alternuar vazhdimisht në formacion, pa arritur të sigurojnë një vend të padiskutueshëm.
Edhe gjatë turneut, stafi teknik u dha mundësi të dy lojtarëve, por asnjëri nuk arriti të bindte plotësisht. Megjithatë, paraqitja e Digne ndaj Spanjës u konsiderua zhgënjyese, sidomos për vështirësitë që pati përballë Lamine Yamal.
Mediat franceze dhe italiane ishin ndër më kritiket ndaj mbrojtësit. L'Equipe e vlerësoi me notën 2, ndërsa La Gazzetta dello Sport i dha notën 3, duke e renditur mes lojtarëve më të dobët të ndeshjes.
Sipas raportimeve në Francë, krahu i majtë i mbrojtjes mbetet një nga pikat që kërkon zgjidhje, ndërsa trajneri i ardhshëm, Zinedine Zidane, pritet të marrë vendime për këtë rol.


