SHBA vendos tarifë 25% ndaj importeve nga Brazili, Uashingtoni akuzon për praktika të padrejta tregtare

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tarifë të re prej 25% për disa importe nga Brazili, pas përfundimit të një hetimi njëvjeçar që sipas autoriteteve amerikane zbuloi praktika tregtare të padrejta ndaj kompanive amerikane.
Vendimi është bërë i ditur nga Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së (USTR), Jamieson Greer, ndërsa masat do të hyjnë në fuqi më 22 korrik.
Sipas raportit të USTR-së, Brazili është kritikuar për politikat që lidhen me tregtinë dixhitale, tarifat preferenciale, aksesin në tregun e etanolit dhe fusha të tjera që Uashingtoni i konsideron pengesa për bizneset amerikane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva se nuk ka zhvilluar negociata të sinqerta me Shtetet e Bashkuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.
Rubio është shprehur se politikat ekonomike të qeverisë braziliane kanë ndikuar negativisht në interesat e të dy vendeve dhe se tarifat janë një pasojë e mungesës së një marrëveshjeje.
Megjithatë, administrata amerikane ka parashikuar përjashtime për disa produkte që konsiderohen të rëndësishme për zinxhirët e furnizimit dhe që nuk prodhohen në SHBA. Në listën e produkteve të përjashtuara përfshihen disa lëndë të para, produkte farmaceutike dhe kafe.
USTR ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme për negociata me Brazilin për të gjetur një zgjidhje për çështjet tregtare.
Hetimi është zhvilluar në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, një mekanizëm ligjor që i lejon SHBA-së të ndërmarrë masa ndaj praktikave të huaja që konsiderohen të dëmshme për konkurrueshmërinë amerikane.
Ky vendim vjen pas përplasjeve të mëparshme mes Uashingtonit dhe Brazilisë. Në korrik të vitit të kaluar, presidenti Donald Trump kishte njoftuar një tarifë prej 50% ndaj Brazilit, e cila më pas u tërhoq.
Sipas të dhënave zyrtare, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një suficit tregtar me Brazilin prej 14.4 miliardë dollarësh vitin e kaluar, me një rritje prej 112.8% krahasuar me një vit më parë.


