Irani i mbyll derën negociatave me SHBA-në: Do të përgjigjemi me vendosmëri ndaj s*lmeve

Irani ka deklaruar se nuk ka në plan të zhvillojë negociata me Shtetet e Bashkuara dhe se do të vazhdojë të mbrojë veten ndaj çdo sulmi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se Teherani aktualisht është i fokusuar në mbrojtjen e vendit dhe nuk ka nisur asnjë proces dialogu me Uashingtonin.
“Për momentin nuk kemi plane për negociata dhe mbetemi të përqendruar në mbrojtjen e vendit”, deklaroi Baghaei për mediat iraniane.
Ai shtoi se Irani nuk do të zbatojë asnjë marrëveshje nëse SHBA-ja nuk respekton detyrimet e saj, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të angazhimeve të mëparshme.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes dy vendeve, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar për sulme të reja nëse Irani nuk pranon një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.
Pas deklaratave të zëdhënësit iranian, agjencia gjysmëzyrtare Mehr raportoi se SHBA-ja kishte goditur ishullin Hengam të Iranit, pranë Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar më tej pasigurinë në rajon.


