"Një grusht librash" – Fation Plaku prezanton albumin fotografik "Homeland 3
Pas më shumë se dy dekadash sakrifica, udhëtime e orë të tëra pritjeje në kushte ekstreme, fotografi dhe alpinisti i njohur Fation Plaku ka sjellë për publikun albumin e ri, "Homeland 3".
Ky projekt unik, i cili dokumenton rreth 120 maja të maleve shqiptare, vjen pas sukseseve të dy vëllimeve të para dhe premton të shpalosë një anë të panjohur dhe magjepsëse të natyrës sonë. Ndonëse ka ngjitur majat më të larta botërore si Everest, Elbrus, Kilimanjaro e Aconcagua, për autorin malet shqiptare mbartin një magji të pashpjegueshme. Për të realizuar kopertinën e këtij albumi, ai është përballur me rreziqe të mëdha.
I ftuar në emisionin "Një grusht librash" të Beti Njumës, Fation Plaku tregoi ndër të tjera se gjatë një ngjitjeje në majën e Grykave të Hapëta me dy miq nga Valbona, ekipi kaloi përmes zonave tërësisht të mbuluara nga akulli, vetëm për të shkrepur një fotografi që i la pa fjalë. Sipas alpinistit, kjo pamje vizive ishte aq e rrallë dhe e veçantë, saqë ia kalon edhe madhështisë së vetë Jezercës. Albumi i ri nuk është thjesht një koleksion fotografik, por një dokumentim historik dhe gjeografik.
Për herë të parë, fotografitë spektakolare shoqërohen me shpjegime të detajuara shkencore nga tre profesorë të nderuar të gjeografisë: Perikli Qiriazi, Florjan Fusha dhe Adriatik Balla. Këta të fundit e kanë cilësuar projektin si një ngjarje të rëndësishme, pasi përfaqëson një punë që gjeografët kishin synuar ta bënin prej kohësh, pa mundur ta realizonin me këtë cilësi. Ideja për këtë projekt jete lindi fillimisht nga nevoja për t'u treguar njerëzve bukuritë e paimagjinueshme që haseshin gjatë eksplorimeve, pamje të cilat shumë e kishin të vështirë t'i besonin.
Nga aparatet e vjetra bardhë e zi me film, e deri te dronët e teknologjisë së fundit, çdo faqe e këtij libri fsheh ngjitje të përsëritura mes sfidash natyrore vetëm për të kapur dritën e duhur. Aventura ndërkohë vazhdon, pasi pritet që në të ardhmen albumi të përditësohet me të paktën 100 maja të tjera të mrekullueshme të Shqipërisë.

