Biden nxjerr kujtimet presidenciale/ Libri pritet të hapë debate brenda demokratëve

Biden nxjerr kujtimet presidenciale/ Libri pritet të hapë debate

Ish-presidenti amerikan Joe Biden do të publikojë librin e tij me kujtime me titull “Promise Me, America” më 17 nëntor 2026, një datë që mund të shkaktojë reagime brenda Partisë Demokratike, pasi vjen vetëm pak javë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Në memoaret e tij, Biden pritet të rrëfejë periudhën e qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë, vendimet më të rëndësishme të presidencës së tij dhe sfidat me të cilat u përball administrata amerikane.

Në një videomesazh për promovimin e librit, Biden tha se do të ndajë me publikun prapaskena të momenteve kyçe të mandatit të tij dhe arsyet pas vendimeve të marra gjatë presidencës.

Një pjesë e rëndësishme e librit do t’i kushtohet edhe vendimit të tij për t’u tërhequr nga gara presidenciale e vitit 2024, një zhvillim që mbetet ndër episodet më të debatueshme të karrierës së tij politike.

Biden pritet të trajtojë gjithashtu çështje si pandemia e COVID-19, sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, tërheqja amerikane nga Afganistani, mbështetja për Ukrainën dhe sfidat globale gjatë mandatit të tij.

Megjithatë, zgjedhja e datës së publikimit ka ngritur diskutime politike, pasi botimi menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit mund të ndikojë në debatin për trashëgiminë e Bidenit dhe rolin e tij në të ardhmen e Partisë Demokratike.

EMISIONET